Lidhje

Të ftohtit në Serbi, kërcënim për migrantët


Fëmijë migrantë që po futen në Serbi po strehohen nëpër qendrat e pritjes ndërsa temperaturat e ulëta kanë bërë që organizata Save the Children të japë alarmin për rrezikun ndaj fëmijëve. Sipas parashikimeve, temperaturat mund të zbresin deri -20 gradë celsius në kufirin mes Maqedonisë dhe Serbisë. Sipas përllogaritjeve, rreth 1 mijë njerëz kalojnë nga Maqedonia për në Serbi çdo ditë, pavarësisht motit të ftohtë.

Punonjësit e organizatës Save the Children paralajmëruan nga Beogradi për rrezikun që sjellin ngricat dhe hipotermia. Shqetësimin e motit të ashpër e ka edhe ky prind i tre fëmijëve të ardhur nga Siria.

“Në Siri nuk na duhej të mendonim për motin. Është situatë e vështirë për fëmijët. Kemi bërë rrugë të gjatë deri këtu. Një rrugëtim shumë të vështirë, por shpresa na mban gjallë.”

Rreziku i udhëtimit gjatë dimrit tani është sfida e rradhës për mijëra njerëz që kalojnë Mesdheun. Por, edhe brenda Evropës, ka ndryshuar mendimi ndaj të ardhurve. Sot, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë tha se mbyllja e kufijve nuk do ta zgjidhte krizën e refugjatëve. Reagimi i Berlinit erdhi pas thirrjes së ministrit të brendëshëm të Bavarisë ku theksonte se mbyllja e kufirit për migrantët është i nevojshëm. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier:

“Zgjidhja nuk gjendet sa hap e mbyll sytë. Dhe ju garantoj që nuk gjendet as me mbylljen e kufijve. Mbyllja e kufirit nuk është zgjidhja.”

Shefi i diplomacisë gjermane shprehu gjithashtu pakënaqësi për trajtimin e zhivillimeve në nivel blloku. Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann tha se nuk kërkonte mbylljen totale të kufijve. Ai u shpreh se importet dhe eksportet do të vazhdonin si dhe lëvizja e turistëve. Por ai tha se migrantët nuk duhen lejuar të futen në vend pa kontroll.

“....kushtetuta gjermane dhe ligji për azilin thotë se ata që vijnë nga shtetet fqinje të ashtu quajtura të sigurta, duhen kthyer mbrapsht.”

Më shumë se 1 milion njerëz mësynë detin gjatë 2015-s në kërkim të një jete më të mirë në Evropë. Dyndjet e vitit të kaluar ishin pesë herë më të mëdha krahasuar me një vit më parë sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Mendohet se gjatë vitit 2015 rreth 3,700 njerëz humbën jetën ose nuk u dihet fati gjatë udhëtimeve të rrezikshme, thotë Organizata Ndërkombëtare për Migrimin.

XS
SM
MD
LG