Lidhje

Moti i keq pengon vizitën e ndërmjetësit Cooper në Kosovë


Moti i keq pengon vizitën e ndërmjetësit Cooper në Kosovë
Moti i keq pengon vizitën e ndërmjetësit Cooper në Kosovë

Moti i keq që përfshiu Kosovën që nga dita e djeshme e ka vështirësuar shumë lëvizjen posaçërisht në zonat malore. Trashësia e borës ka arritur nga rreth 70 centimetra në zonat e ulta deri në afro një metër e gjysmë në zonat malore. Si pasojë, mjaft fshatra janë të izoluara. Vështirësi janë shkaktuar edhe në trafikun ajror ku një pjesë e fluturimeve ose janë anuluar ose janë drejtuar për në aeroportin e Shkupit.

Mësimi në shkollat fillore dhe të mesme është ndërprerë në shkallë vendit, ndërsa moti i lig ka bërë që të anulohen edhe shumë veprimtari politike.

Moti i keq bëri që të anulohet edhe vizita e ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë – Serbi, Robert Cooper, i cili pritej të vinte nga Beogradi, ku kishte qëndruar në përpjekje për të siguruar pajtimin e palëve për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale e ndërkombëtare. Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanovic, tha se i ka ofruar zotit Cooper disa modele të përfaqësimit rajonal të Kosovës, që sipas tij janë “në përputhje të plotë me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Nuk janë dhënë hollësi të propozimeve, por Beogradi deri tash ka ngulur këmbë që Kosova të përfaqësohet me shënimin e kësaj Rezolute pranë emrit të saj.

Por, Prishtina kundërshton një gjë të tillë, ndërsa është shprehur e gatshme të pranojë një formë të veçantë të përfaqësimit. Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, tha se Kosova është e përkushtuar që të gjejë zgjidhje të pranueshme për të avancuar drejt proceseve integruese.

“Kur një shtet ballafaqohet me situata të mosnjohjes në rastin e bashkëpunimit rajonal është Serbia por janë edhe shtetet tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën, këto raste përdorin modele të veçanta përmes fusnotave, si shembull është Maqedonia, e cila ballafaqohet me mosnjohjen e emrit nga Greqia andaj edhe në bashkëpunimet ndërkombëtare paraqitet me fusnotë. Ne kërkojmë që fusnota ta shpreh realitetin dhe ai realitet është që shumica e vendeve të rajonit e kanë njohur pavarësinë Kosovës”, tha zonja Tahiri.

Vazhdimi i bisedimeve është kërkuar këto ditë nga diplomatët perëndimorë të cilët pohojnë se vazhdimi i tyre dhe zgjidhja për përfaqësimin rajonal të Kosovës janë çështje të rëndësishme për integrimet evropiane të Serbisë. Diplomatët thonë se Serbia duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tash me Kosovën dhe të jetë konstruktive në gjetjen e zgjidhjeve në bisedime, para se Bashkimi Evropian të diskutojë në fund të muajit shkurt për mundësinë që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Serbia dështoi të marrë këtë status për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ku sot mbushen gjashtë muaj që kur ka filluar bllokimi i rrugëve nga serbët lokal që nuk pranojnë shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në atë zonë.

Përfaqësuesit e serbëve në veri kanë paralajmëruar për 14 dhe 15 shkurt një referendum në të cilin qytetarët e atjeshëm do të deklaroheshin nëse duan apo jo të pranojnë institucionet e Prishtinës. Ky referendum i cili cilësohet i paligjshëm e i pavlefshëm nga Prishtina, është kundërshtuar edhe nga presidenti i Serbisë, Boris Tadic, të dërguarit e të cilit dështuan deri tash në përpjekjet për të bindur serbët të heqin dorë prej tij.

XS
SM
MD
LG