Lidhje

Shqipëri: Moti i keq dëmton rrjetin energjitik

  • Pëllumb Sulo

Rreshjet e dendura të shiut të shoqëruara me erëra të forta, që po vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme në një pjesë të madhe të territorit të Shqipërisë, kanë krijuar situatë problematike edhe në drejtim të furnizimit me energji elektrike për shumë zona të vendit, sidomos zonat rurale. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, njoftoi për një difekt të rëndë në linjën 110 kilovolt në Rajonin e Kukësit, në Verilindje të Shqipërisë, duke lënë pa energji një pjesë të qytetit të Kukësit, Krumën si dhe zonën e Kalimashit. Gjithashtu, është ndërprerë energjia edhe në disa zona në rajonin e Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe dhe Lezhës si në Iballë, Arrëz-Miliska, Zagorë, Bajzë, Kelmend, Berdicë, Vraka, Renc dhe pjesërisht në Gjadër, Kallmet dhe Shëngjin. Por defekte në rrjetin e shpërndarjes ka sot edhe në rajonet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës.

Sipas një njoftimi zyrtar të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në të gjithë vendin sot janë stakuar 82 fidra për shkak të defekteve të shkaktuara nga erërat e forta, por edhe si masë sigurie nga ana e kompanisë.

Për të përballuar situatën e vështirë dhe defektet në rrjetin e shpërndarjes OSHEE ka angazhuar në terren 1800 punonjës si dhe ka garantuar furnizimin e pandërprerë me energji për hidrovoret, spitalet dhe konsumatorët e rëndësisë së veçantë.

Defektet në rrjetin ajror të shpërndarjes së energjisë janë bërë të zakonshme gjatë periushës së dimrit, kryesisht në zonat rurale, kjo për shkak të amortizimit të rrjetit, cilësisë së dobët të tij, por edhe investimeve të pakta ndër vite.

Dhe ndërsa rreshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të shumta materiale, thuajse në të gjithë territorin e vendit, ato po përmirësojnë me shpejtësi situatën hidroenergjitike, e cila në ditët e fundit të vitit po shkonte drejt niveleve kritike. Të dhënat e fundit të Koorporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë bëjnë të ditur se, gjatë ditëve të para të këtij viti, niveli i ujrave në ujëmbledhësin e Hidrocentralit të Fierzës, që është edhe më i madhi në Shqipëri, është rritur me më shumë se 8 metër duke arritur kuotën e 284 metrave, ose vetëm 12 metër poshtë kuotës maksimale. Aktualisht, prurjet e ujit në Hidrocentralin e Fierzës janë më shumë se 500 metër kub në sekontë, gjë që premton përmirësim të mëtejshëm të situatës hidroenergjitike edhe gjatë ditëve në vazhdim.

Në këto kushte, Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave ka rekomanduar ndërprerjen e punës në hidrocentralin më të madh të vendit, atë të Fierzës, dhe uljen e nivelit të ujit në hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës. Aktualisht, niveli i prodhimit të energjisë në Shqipëri ka arritur në 15 milion kilovat orëve në ditë, duke i mundësuar keshit furnizimin e konsumatorëve dhe shtyrjen e sasisë së kontraktuar të importit të energjisë.

XS
SM
MD
LG