Lidhje

Moti i keq, situatë e rënduar në Jug të Shqipërisë

  • Raimond Kola

Ministria e Brendshme njoftoi sot se mbi 250 familje janë evakuuar në Vlorë dhe Fier. Në Elbasan, prurjet e mëdha mund të cojnë në hapjen e portave të hidrocentralit të Banjës

Moti i keq po vazhdon në Jug të Shqipërisë dhe vërshimi i disa lumenjve po shkakton zgjerimin e përmbytjeve të zonave sidomos në Fier dhe në Vlorë. Ministria e Brendshme njoftoi se janë evakuar rrreth 250 familje vetëm në zonat buzë lumit Vjosa. Evakuime banorësh ka edhe në zonën e Elbasanit dhe të Beratit. Për ndërhyrjet në zonat problematike janë angazhuar forcat të shumta të policisë dhe ushtrisë me mjete të rënda por dhe helikopterët. Disa akse rrugore vazhdojnë të mbeten të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave, ndërsa disa fshatra kanë mbetur pa energji.

Në zonën e Elbasanit, ministria njoftoi se “për shkak të reshjeve të ditëve të fundit në digën e liqenit të Banjës ka prurje intensive të ujrave, të cilat në qoftë se do të vazhdojnë me këtë ritëm do të rrezikojnë digën e liqenit. Në këto kushte emergjente do të hapen portat e liqenit, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje të tokave bujqësore. Autoritetet janë duke marrë masa për të evakuuar në kohë banorët nga zonat e rrezikuara nga përmbytja”, deklaroi ministria.

Shtabet e emergjencave pranë prefekturave në të dy qytetet Vlorë dhe Fier kanë ndërhyrë me mjete ajrore dhe gomone në raste kur është rrezikuar jeta e banorëve ndërsa sinjale ndihmë kërkohen herë pas here nga banorë të izoluar nga uji.

Në Gjirokastër Lumi Drino ka ulur prurjen e ujrave ndërsa zona të tëra të këtij Qarku që përfshin edhe Tepelenën dhe Përmetin ndodhen pa energji elektrike. Segmentet rrugore kombëtare janë të kalueshme prej ndërhryjes së mjetve që pastruan materialet inerte të rëna në disa zona.

Policia e Shtetit u bëri thirrje qytetarëve që edhe sot të shmangin udhëtimet në zonat Jugore për shkak të motit të keq. Autoritetet nuk kanë njoftuar për viktima nga moti i keq që ka përfshirë prej dy ditësh sidomos zonat në Jug të vendit , por dëmet materiale dhe në ekonomitë blektorale në disa zona janë të konsiderueshme. Nga moti i keq jnë dëmtuar edhe disa investime të mëdha publike në punime e sipër.

Moti i keq po vijon edhe në zonat në Veri të Greqisë ku prurja e disa lumenjve ndikon në shtratin e Lumit Vjosa që përshkon më tej zonat shqiptare. Edhe autoritete greke në disa zona shpallën emergjencën ndërsa lëvizja e emigrantëve shqiptarë në kufi është reduktuar ndjeshëm.

XS
SM
MD
LG