Lidhje

Filmi "33", tragjedia e minatorëve kilianë

  • Penelope Poulu

Filmi 33, nga Patricia Riggen, është një pasqyrë dramatike e aksidentit të vitit 2010 në Kili kur një minierë bakri dhe ari qindra-vjeçare në San Jose u shemb mbi kokat e 33 minatorëve 700 metra nën tokë. Filmi përpiqet të rishqyrtojë 69 ditët e agonisë për minatorët e bllokuar poshtë dhe familjet e tyre që luten për mbijetesë.

Me mungesën e sigurisë si fakt të njohur të jetës së tyre, 33 minatorët fillojnë rrugën e tyre poshtë tokës dhe shikuesi e di katastrofën që do të ndodhë.

Pasi tuneli shembet, minatorët mblidhen në një hapësirë pesë-metërshe të ndërtuar për të strehuar 30 burra. Ata kanë ushqim vetëm për tre ditë.

Antonio Banderas luan rolin e Mario Sepulvedas.

"Ai është një djalë që në fakt vë një farë rregulli atje poshtë dhe përpiqet t’u zgjasë jetën minatorëve sa më shumë me mundësitë që kishin pasi burimet ishin minimale."

Filmi është i ndarë në dy botë: atë të minatorëve, ku uria dhe dëshpërimi u japin rrugë lutjeve të ethshme dhe atë të kampit Shpresa, një pikë grumbullimi për familjet e dëshpëruara jashtë hyrjes së shembur të minierës.

Maria Segovia, motra e njërit nga burrat, është po aq qëndrore në përpjekjet e shpëtimit mbi tokë sa ç’është Mario Sepulveda brenda minierës. Fituesja e çmimit Oskar, Juliette Binoche luan rolin e Maries.

Ajo quhej kryetarja e kampit Shpresa. Ajo ishte forca fillestare. Duhet të tregoja në një kohë të shkurtër, në pak skena, se forca e këtyre grave bëri që të fillonin planet e shpëtimit."

Duke patur presion nga mbulimi ndërkombëtar i medias, qeveria kiliane vazhdoi të shponte. Pas 17 ditësh shpimi arrihen minatorët. Filmi më pas ndryshon fokusin tek vështirësitë teknike dhe operacioni i vështirë për t’i nxjerrë ata një nga një në sipërfaqe.

Filmi 33 zhvillohet si një katastrofë. Ndërsa efektet speciale dhe drama njerëzore brenda dhe jashtë minierës shton tensionin, është kujtimi i katastrofës aktuale dhe operacionit ndërkombëtar të shpëtimit pesë vjet më parë që i jep dinjitet produksionit. Filmi nuk zhvillon shumë karakteret. Përveç Sepulvedas dhe Segovias, mëson pak për pjesën tjetër të pjesëtarëve. Filmi nuk shpjegon gjithashtu përse minatorët nuk morën asnjë kompensim dhe as çfarë ka bërë qeveria kiliane qysh atëherë për të përmirësuar sigurinë në miniera.

XS
SM
MD
LG