Lidhje

Producenti afrikan eksploron kulturën në Teksas

  • Greg Flakus

Shumë afrikanë kanë lënë shtëpitë e tyre për të gjetur mundësi të reja në vende të tjera, por ata mbartin me vete tradita kulturore që mund të krijojnë probleme. Një shembull është plogështia, një çështje që e trajton Kelechi Eke, regjizor nga Nigeria, i vendosur në Teksas. Ai realizon filma të ngjashëm me ato të industrisë së filmave në Nigeri, duke u fokusuar tek jetët e emigrantëve afrikanë, si dhe tek çështje të tjera të rëndësishme për Afrikën.

Duke përdorur një park publik të Hjustonit si një skenë nga Afrika, Kelechi Eke dhe trupa e tij e xhirimit janë duke prodhuar një video muzikore për të promovuar filmin e tij “Koha Afrikane”.

“Videoja muzikore është një mënyrë e shpejtë që njerëzit të kenë një ide rreth filmit,” thotë ai.

Duke përdorur humorin, filmi merret me tendencën afrikane për të qënë me vonesë.

“Orari afrikan është i qartë. Dihet se nëse u thua afrikanëve të gjenden diku në orën 12, ata do të mbërrijnë në orën 6,” thotë artisti.

Këngëtarja nga Angola, Angelina Catumbela, sugjeroi këtë video për të promovuar filmin, karrierën e saj, si dhe përpikmërinë afrikane.

Ka pasoja sa herë që vonohesh. Ky është mesazhi i këngës,” thotë ajo.

“Meqë ra fjala, je me vonesë,” i vë në dukje gazetari i VOA-s.

“Po. Jam vonë! Me kohën afrikane! Ikim,” thotë Angelina duke qeshur.

Eke dhe Catumbela bashkëpunuan për koreografinë dhe regjinë e videos, por është zoti Eke që menaxhon pothuajse të gjitha aspektet e tjera.

“Jam i bekuar që kam mundësinë t’i bëj vetë shumë prej këtyre gjërave. Unë shkruaj, prodhoj, drejtoj, madje edhe aktroj në filmat e mi,” thotë zoti Eke.

Në një skenë të filmit, një grua thotë: “Prit një minutë. Ti kërkon tu themi amerikanëve se dasma jonë fillon në orën 2 pasdite dhe afrikanëve në orën 10 në mëngjes?”

Burri: “Pikërisht”.

Gruaja: “Jo. Kjo është një hapësirë prej 4 orësh!”

Burri: “Është e vetmja mënyrë që njerëzit e mi të vijnë në kohë.”

“Koha afrikane” tregon edhe dallimet tipike ndërmjet fëmijëve të emigrantëve afrikanë dhe prindërve të tyre.

Vajza numër 1: “Po përpiqem të pastroj dhomën time. Mu qep mamaja duke më thënë se është koha që ta pastroj.”

Vajza numër 2: “Qenka fiks si ime më.”

“Ka gjithnjë një konflikt ndërmjet prindërve afrikanë dhe fëmijëve të tyre, sepse, na pëlqen apo jo, fëmijët janë amerikanë. Ata kanë lindur këtu dhe njohin vetëm çka shohin këtu, por në mendjen tonë ata mbeten afrikanë”, qesh zoti Eke.

Zoti Eke punon si programues kompjuterash në Dallas, megjithëse shpreson që në të ardhmen të punojë me kohë të plotë si regjizor filmash. Ai thotë se kjo është një sfidë e madhe për të gjithë regjizorët e pavarur të filmave:

“Nëse sapo ke filluar dhe e ke mendjen tek aspekti i të ardhurave, nuk do ta këshilloja, pasi fitimi nuk është i menjëhershëm."

Ai thotë se ajo çfarë e ndihmon, është reagimi pozitiv nga njerëzit në Shtetet e Bashkuara, Evropa, dhe Afrika. Një nga filmat e tij në lidhje me identitetin e afrikanëve në vende të tjera, po përdoret nga programet e studimit të disa universiteteve kryesore në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Eke po ndërton tani një faqe interneti, Bigobi.com, ku njerëzit nga e gjithë bota mund t’i shikojnë filmat e tij online.

XS
SM
MD
LG