Lidhje

Bashkitë e reja në Shqipëri: pak transparencë për publikun


Aleksandër Todi është një Koordinator për Informimin në Bashkinë e Tepelenës, një njësi e vogël vendore me rreth 17 mijë banorë në jug të Shqipërisë. Në pak muaj ai mban kontakte të rregullta me gazetarët vendorë dhe po punon për të ngritur një portal elektronik informimi për aktivitetin e Bashkisë.

Transparenca e bashkive
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:23 0:00

Por ndërsa në këtë bashki ka një Kordinator për Informimin dhe një Program Transparence, në pjesën dërrmuese të Bashkive në Shqipëri nuk po zbatohet Ligji për të Drejtën e Informimit.

Ligj i detyron institucionet publike dhe ato vendore të japin informacion brenda 10 ditësh ndaj një kërkese të qytetarit dhe në rast të kundërt zyrtarët përgjegjës, përfshirë edhe drejtuesit, gjobiten në shuma të mëdha financiare.

Ligji detyron gjithashtu që institucionet të kenë një Program Transparence, një Koordinator për Informimin dhe të bëjnë publike për qytetarët çdo informacion ose përmes faqeve të internetit e portaleve ose përmes stendave publike.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit Besnik Dervishi i tha Zërit të Amerikës se nga 61 Bashkitë që dolën nga zgjedhjet e fundit të qershorit 2015, më pak se gjysma e tyre kanë faqe interneti dhe vetëm 10-12 prej tyre i përditësojnë ato me informacion për publikun.

“Po të shikojmë diferencën nga ku ishim e ku jemi, hapat janë pozitive, por mbetet shumica e punës për t`u bërë”, tha zoti Dervishi. I pyetur se a kishte ndëshkime me gjoba siç e parashikon ligji për titullarët që nuk

japin informacion, zoti Dervishi tha se përpjekjet më të mëdha ishin në ndërgjegjësimin e autoriteteve vendore.

Ndërsa më shumë se gjysma e bashkive nuk kanë faqe internet, një vëzhgim i Zërit të Amerikës në stendat publike të disa bashkive flet për një situatë të mjerueshme në përcjelljen e informacionit për publikun edhe përmes kësaj forme.

Shumë prej bashkive më të mëdha në vend, si Bashkia e Tiranës, Lushnjës apo Beratit nuk kanë Program Transparence, ndërsa Bashkitë e vogla nuk kanë përcaktuar ende as Koordinatorët.

Sipas Ligjit për të Drejtën e Informimit, miratuar që prej vitit 2014 , institucionet publike, përfshi njësitë e qeverisjes vendore, gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi, duhet të kishin Programin e Transparencës dhe koordiantorin e emëruar.

Por ndonëse kanë kaluar gati dy vite shumica e institucioneve publike dhe sidomos e bashkive nuk e kanë përmbushur këtë detyrim ligjor.

E drejta për Informim dhe “peripecitë” e ankimimeve

Në fillim të prillit Qendra BIRN Shqipëri, një organizatë e gazetarëve investigativë, u ankua tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit pasi Bashkia e Tiranës i refuzoi dhënien e informacionit dhe kopjeve të dokumentacioneve zyrtare lidhur me biografitë jetësore të Administratorëve të përzgjedhur në Bashkinë e Tiranës dhe kriteret e përzgjedhjes.

Pasi e shqyrtoi ankesën, Komisioneri vërejti se argumenti i Bashkisë, sipas të cilit dhënia e informacionit përbënte cënim të të dhënave personale dhe konfidenciale, nuk qëndronte dhe urdhëroi që informacioni të vihej në dispozicion të publikut.

Një tjetër organizatë, “RES Publica” ndërmori një studim mbi efektivitetin e ligjit për Informimit. Në një raport të publikuar fundvitin e kaluar vlerësohet se organizata kishte dërguar në vitin 2013 plot 202

kërkesa për informim duke shfrytëzuar ligjin e vjetër dhe në vitin 2015 gjithashtu kishte dërguar 202 kërkesa duke shfrytëzuar ligjine ri.

Rreth 108 kërkesa i ishin drejtuar pushtetit qendror dhe 94 kërkesa organeve të qeverisjes vendore. Pas dorëzimit të kërkesës fillestare me ligjin e vjetër në vitin 2013 ishte marrë përgjigje në 29 % të kërkesave , ndërsa me ligjin e ri në vitin 2015 përqindja e përgjigjeve pozitive pas kërkesës fillestare është rritur në mënyrë të ndjeshme në 52%.

Organizata vëren se shqetësues mbetet fakti që “pothuajse në gjysmën e rasteve autoritetet publike nuk përgjigjen ndaj kërkesës fillestare”.

Megjithëse ekziston mundësia ligjore që Koordinatorët për të Drejtën e Informimit të gjobiten për refuzimin e dhënies së informacionit me asnjë prej tyre nuk ka ndodhur kjo.

Një tjetër organizatë “INFOCIP” një muaj më parë publikoi të dhënat për 61 bashkitë e krijuara nga Reforma Territoriale e 2015.

“Vetëm 24 Bashki kanë faqe zyrtare interneti dhe vetëm 9 bashki kanë Programet e Transparencës, tha organizata pas një monitorimi disa mujor.

U vërejt gjithashtu se vetëm 6 bashki kanë tashme të publikuar një regjistër të të ankesave dhe përgjigjeve ndaj qytetarëve. Ndër këto bashki renditeshin Himara, Kavaja, Lezha, Vlora ,Vora dhe Shkodra.

Nga monitorimi rezultoi gjithashtu se deri në fillim të muajit të kaluar janë caktuar 41 Koordinatorë dhe ende 20 bashki nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor. Raporti vëren gjithashtu se nga 61 bashki , vetëm 14 prej tyre kanë vendime te publikuara.

Ndër këto bashki ishin Shkodra, Durrësi, Korca, Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Gramshi, Skrapari, Divjaka, Permeti, Lezha, Kruja dhe Kucova.

Trajtimi i ankesave

Sipas Raportit vjetor të vitit të shkuar të Komisionerit për të Drejtën për Informim pranë kësaj Zyre u depozituan 274 ankesa nga persona fizikë dhe persona juridikë lidhur me mos-respektimin dhe garantimin e së drejtës për informim.

Raporti vlerëson se kërkesat ishin me objekt “Refuzim dhënie informacioni dhe kopje të dokumentave zyrtare” ndaj autoriteteve publike.

“Në të shumtën e rasteve, thotë raporti, autoritetet publike rezultojnë të mos u kthejnë përgjigje kërkuesve”.

Komisioneri dha 48 vendime për pranim të objektit të ankesës, dhe urdhëroi autoritetet për të dhënë informacionin e kërkuar.

Zyra e Komisionerit realizoi gjatë vitit 2015 rreth 107 inspektime pranë autoriteteve publike për verifikimin e ankesave të depozituara dhe pas parashtrimeve për palët, 199 ankesa u zgjidhën me ndërmjetësim ndërsa 5 ankesa ishin të paplota, 3 ankesa ishin depozituar jashtë afatit dhe vetëm 19 ankesa ishin jashtë objektit të ligjit.

“Këtë vit, tha për Zërin e Amerikës Komisioneri Dervishi, numri i ankesave ka ardhur duke u rritur dhe janë tha ai mbi 200 prej tyre që janë shqyrtuar apo janë në proces.

Por në realitet qasja e qytetarëve për të marrë informacion në njësitë vendore apo institucionet publike bëhet më e vështirë nga mosnjohja prej tyre e të drejtave që u jep Ligji për Informimin.

Shumë qytetarë i sigurojë dokumentet ,veçanërisht për procese gjyqësore, duke angazhuar avokatë dhe duke paguar kosto shtesë për informacionin që duhet ta merrnin falas.

Informacioni, ne mjaft raste kthehet ne “mall që kalbet” për reporterët vendorë

Mungesa e Transparencës nga bashkitë vë në pozitë të vështirë edhe reporterët vendorë të cilët sipas vlerësimit të organizatave të gazetarëve gjithnjë e më shumë nuk arrijnë të gjejnë informacionin e kërkuar sidomos për projektet dhe investimet në faqet e internetit të bashkive.

Disa organizata të shoqërisë civile me mbështetjen e donatorëve të huaj po përfshijnë kohët e fundit në projekte e tyre raste ankimimesh për të drejtën e informimit ,sidomos për një seri konçesionesh, kontratash e projektesh që mbahen “të mbyllura” nga institucionet publike.

Por shumica e ankesave përfundojnë në procese gjyqësore të cilat zgjasin dhe me vite dhe e bëjnë të paefektshëm marrjen e informacionit në funksion të raportimeve investigative.

Gazetarët në disa raste kanë arritur të ekspozojnë shkelje të disa Bashkive sidomos në kontrata për parkingjet,shërbimet publike,ndarjet e banesave për të pastrehët.

Ndonëse informacioni ka qenë i cunguar rastet i kanë detyruar institucionet përgjegjëse të reflektojnë duke rishqyrtuar vendim-marrjet.

Ligji për të drejtën e Informimit ka parashikuar një afat prej 10 ditësh pune për të lëvruar informacionin, por nëse zbatohen të gjitha procedurat, lëvrimi mund të vonojë muaj, ose vite, nëse autoritetet nuk kanë vullnetin të bëjnë transparence, vërejnë organizatat e gazetarëve.

Me krijimin dhe funksionimin e gjykatave administrative, praktikat mendohej se do të ishin të shpejta, por mbingarkesa e shkaktuar në këtë Gjykatë ka ngadalësuar edhe trajtimin e ketyre rasteve.

XS
SM
MD
LG