Lidhje

Hapet Muzeu i Paqes në lagjen Bruklin të Nju Jorkut


Hapet Muzeu i Paqes në lagjen Bruklin të Nju Jorkut
Hapet Muzeu i Paqes në lagjen Bruklin të Nju Jorkut

Një muze i vogël është hapur në një enklavë shumetnike në Brooklyn të Nju Jorkut. Ai u dedikohet veprimtarëve të paqes që kanë sjellë ndryshime pozitive në lagjen Crown Heights, ku gjatë trazirave të vitit 1991, komunitetet afro-amerikane dhe karaibiane u zunë me popullatën e çifutëve ortodoksë.

Fotografi frymëzuese të James E. Davisit, anëtarit të këshillit të qytetit të Nju Jorkut dhe themeluesit të organizatës “Duaj Veten, Ndal Dhunën”, mbulojnë muret e Muzeut Shumëkulturor të Paqes që mban emrin e tij.
Është e qëlluar por edhe ironike që ky tempull dialogu dhe ripajtimi ndodhet vetëm pak metra larg vendit ku fëmija e dy imigrantëve karaibianë u vra aksidentalisht nga një automjet që e ngiste një çifut ortodoks i sektit hasidik habad, selia botërore e të cilit ndodhet qindra metra më tutje.
Incidenti nxiti tri ditë dhune më 1991, me ç’rast në masë ndëshkimore u vra një i ri çifut dhe u shkaktuan dëme materiale me miliona dollarë.
Sipas banores së vjetër, Betty Bogan, të ashtuquajturat “trazira të lagjes Crown Heights” kishin vënë në pah vuajtjet e qëmotshme të shumë pjesëtarëve të komuniteteve afro-amerikane dhe karaibiane. Ata ndjenin se u ishte mohuar qasja e rregullt ndaj shërbimeve për komunitetin – siç ishte ambulanca private e komunitetit çifut që mund ta kishte shpëtuar djalin – dhe se ishin shfrytëzuar nga bizneset çifute.

“Rinia po merrte fatin në duart e veta, duke vënë në pah përmes sjelljes poshtërimin që kishte ndjerë.”

Zonja Bogan shton se James Davis dha kontributin e tij në këtë aspekt.

“E çmoj përkushtimin e tij ndaj respektit dhe unitetit dhe mënyrën sesi veproi në çdo rrethanë. E ndjej se i donte njerëzit; dëshironte respekt. Ai dëshironte të bashkëjetonte në mënyrë të ndershme.”

Ndërsa trazirat po vazhdonin, zyrtarët vendorë ftuan udhëheqësit e të tri komuniteteve për sqaruar dallimet mes tyre dhe për të kërkuar zgjidhje së bashku. I vëllai i James Davisit, Geoffrey Davis, i cili themeloi dhe tani drejton muzeun e paqes, thotë se Koalicioni Crown Heights dhe vëllai i tij kishin një mesazh të thjeshtë: bashkëpunimi është në interes të secilit.

“Ndërkohë që vetë komuniteti ishte revoltuar, i takonte udhëheqjes të ndërhynte. Udhëheqësit thanë: ‘Na duhet një plan i qartë për të folur me këta njerëz të ndryshëm. Unë jam me ndikim në komunitet dhe mund të flas me të rinjtë. Rabini është me ndikim në komunitet dhe mund t’u flasë pleqve çifutë. Vëllai im është me ndikim në komunitet dhe mund t’u flasë grave afro-amerikane. Të gjithë duhet të punojmë së bashku që të flasim me njerëzit tanë dhe të zgjidhim problemin.’ Dhe kjo mënyrë pati sukses!”

Zoti Davis thotë se rezultatet kontrete nga këto përpjekje përfshijnë bashkëpunimin për “rrugë të sigurta” në mes të policisë së qytetit, komuniteteve afro-amerikane e karaibiane dhe patrullën vullnetare të rrugëve “Shmira” që para trazirave ishte e përbërë plotësisht nga çifutët.

“Ata m’u lutën t’u bashkëngjitem dhe unë eca me ta natën për të siguruar lagjen. Nuk është vetëm hasidike, por shumëkulturore. Është e përzier.”

Zoti Dejvis është veçanërisht krenar për Qendrën e Meditimit në Crown Heights, një projekt i bashkësponsorizuar nga organizata bazë sikurse ajo e veta dhe organizata ombrellë siç është Këshilli i Komunitetit Çifut në Crown Heights. Të gjitha palët punojnë ngushtë së bashku për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mes komuniteteve por edhe përbrenda tyre. Qendra po ashtu ofron trajnime për udhëheqje dhe afarizëm.

“Kjo nuk do të ndodhte në vitet 1990. Ankesat ekonomike kanë rënë sepse burimet tani shpërndahen me korrektësi aty ku punojmë së bashku. Në dyqanet e avenysë Kingston, ku shkojmë për të blerë, tani punojnë edhe zezakët. Ka akoma për të bërë, por kemi arritur mjaft.”

Udhëheqësit e lagjes mund të kenë vërejtur nevojën për dialog e bashkëpunim mes komuniteteve qysh më herët, por njerëzit e rëndomtë u desh në përfshihen në këtë proces më ngadalë, thotë Rueven Lipkind, çifut hasidik, i cili tani punon për përfaqësuesin afroamerikan të rrethit në senatin shtetëror. Ndërsa shkarkon gjësendet e blera për kremten e forcimit të rolit të prindërve, ai ndalet për të shpjeguar se ishte rinia e grupeve të ndryshme që shpesh kishte prirë në rrugën përpara – përmes argëtimit.

“Ata filluan të bënin prodhime artistike, mbanin koncerte, përfshinin fëmijët në valle dhe përgatisnin shfaqje që tregonin se njerëzit mund të punonin së bashku. Ata po dilnin së bashku përpara turmave, që ata ta kuptonin se nuk ia vlente të luftonim. Ne mund të përdorim talentin tonë për të zgjidhur problemet. Diku duhet të fillojmë.”

Zoti Lipkind thotë se të gjitha komunitetet po mësojnë dalëngadalë se kanë më shumë gjëra që i lidhin sesa që i ndajnë.

“Ne të gjithë jemi njëlloj. Të gjithë kemi fëmijë. Të gjithë i veshim pantallonat njësoj. Të gjithë punojmë, lajmë borxhet dhe përpiqemi të jetojmë me fëmijët plot gjallëri që i kemi sot. Dhe secili prej nesh ka të njëjtat probleme. Nëse punojmë së bashku, kemi më shumë paqe dhe mund të krijojmë lidhje dhe miqësi. Atëherë zhduken dhe krejt arsyet pse njerëzit nuk i besojnë njëri-tjetrit. Dhe është ide e shkëlqyeshme që Davisi do të ndërtojë muze për këtë.”

Një ekspozitë e planifikuar në Muzeun Shumëkulturor të Paqes “James E. Davis” do t’i kushtohet rabinit të ndjerë të sektit hasidik habad dhe do të vë në pah mirësinë dhe veprën e tij. Një tjetër do të ketë në plan të parë një klerik afro-amerikan, Dr. Johnny Ray Youngblood, i cili ndihmoi mijëra të rinj që të heqin dorë nga keqpërdorimi i drogave dhe u mundësoi të kenë shtëpitë e tyre. Një ekspozitë e tretë do t’i dedikohet muzikantit rege dhe veprimtarit të paqes nga Xhamajka, Bob Marley.

XS
SM
MD
LG