Lidhje

Një mushkëri artificiale?


Një pajisje eksperimentale që ende nuk ka marrë miratimin e autoriteteve për përdorim të gjerë, i ka shpëtuar jetën një pacienti që priste për transplantimin e dy mushkërive. Ky rast ka nxjerrë në pah nevojën për teknologji moderne për individët që janë në rrezik jete nga problemet e mushkërive.

Jonathan Sacker nuk kishte më shpresa. Ai kishte bërë transplant të të dy mushkërive, por pa sukses. Mushkëritë e reja nuk arrinin të pastronin gjakun nga dioksidi i karbonit.

Në një përpjekje të fundit, mjekët në Qendrën Spitalore të Universitetit të Pitsburgut vendosën të provojnë një transplantim të ri, nëse arrinin më parë të stabilizonin gjendjen e tij shëndetësore.

Kreu i Programit të Transplantimeve Kardioterapike Dr. Christian Bermudez, kujton sa e rëndë ishte gjendja e pacientit:

“Ai ishte shumë i sëmurë; nuk ishim të sigurtë se do të plotësonte kushtet si kandidat për transplant. Merrte frymë me ndihmën e pajisjeve spitalore, por edhe ato nuk arrinin t’i stabilizonin tensionin e gjakut, si rezultat i nivelit të lartë të dioksidit të karbonit”.

E vetmja shpresë për pacientin Sacker ishte pajisja Hemolung që kohët e fundit u miratua për përdorim në Evropë dhe Kanada, por jo në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk e dinim nëse mjaftonte koha për ta sjellë pajisjen këtu dhe për të marrë aprovim nga Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve”.

Homelung kryen për mushkëritë një funksion të ngjashëm me dializën për veshkat – ajo eliminon dioksidin e karbonit nga gjaku.

Pete Decomo, shefi ekzekutiv i kompanisë A-lung Technologies që e prodhon këtë pajisje, thotë se Hemolung është pak a shumë një mushkëri artificiale.

“Me pak fjalë ne i japim ndihmë nga jashtë mushkërive të pacientit, duke i ofruar një mushkëri të jashtme artificiale që bën 50-60% të punës për mushkëritë organike”.

Hemolung ishte zgjidhja që i ofroi kohën e nevojshme për stabilizim pacientit Jonathan Sacker, por studiuesit thonë se ajo ofron vetëm një hap përpara drejt synimit kryesor për një mushkëri portative artificiale, që është ende shumë vite larg.

Dr. William Federspiel, një ndër themeluesit e kompanisë A-lung Technologies, thotë se teknologjia për mushkërinë artificiale do të bazohet në arritjet e shënuara me zemrën artificiale.

“Ashtu si teknologjia për zemrën artificiale, edhe pajisjet që shërbejnë si mushkëri artificiale do të bëhet portative që një ditë pacienti të mund të dalë nga spitali me të”.

Në rastin e pacientit Sacker, ekipi mjekësor mori miratim brenda 36 orësh për të përdorur Hemolung-un, që e stabilizoi organizmin dhe lejoi transplantimin e mushkërive të reja. Ai i është mirënjohës bashkëshortes, Salli Sacker, që kishte vendosur se nuk do ta kalonte jetën pa të dhe bëri të pamundurën për t’i gjetur shpëtim.

Jonathan Sacker ka një periudhë të vështirë përpara; mushkëritë e reja mund të mos pranohen nga trupi, por edhe në rast suksesi terapia mjekësore është e gjatë dhe e vështirë. Por për momentin ai ka dalë nga spitali dhe i gëzohet kohës që po kalon në familje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG