Lidhje

Vendet muslimane dhe kriza e refugjatëve


Vendet muslimane, sidomos vendet e pasura me naftë, dhe Kina mund të bëjnë më shumë për të zgjidhur krizën e refugjatëve sirianë, thonë analistët. Shërbimi Diva i Zërit të Amerikës bisedoi me disa analistë në lidhje kontributin që vendet muslimane dhe Kina mund të japin për trajtimin e krizës së refugjatëve në Lindjen e Mesme.

Alam Payind, drejtor i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme në Universitetin e Ohajos thotë se dallimet politike, etnike ose sektare kanë një rol të madh për familjet sunduese kur bëhet fjalë për pranimin e refugjatëve, dhe familjet që kanë pushtetin në vendet e pasura me naftë përpiqen të mos pranojnë refugjatët me të cilët ata i kanë këto dallime.

Mijëra refugjatë sirianë po largohen nga vendi. Shumica e tyre ndjekin rrugë të rrezikshme detare e tokësore për të shkuar në Evropë. Vendet evropiane po përballen me një krizë të madhe refugjatësh. Disa vende kanë mbyllur kufijtë e tyre për shkak të fluksit të madh të refugjatëve. Hungaria, për shembull, ka mbyllur kufirin e saj me Serbinë duke ndërtuar gardhe dhe duke vendosur tela ma gjemba.

Zoti Payind thotë se Kina duhet të luajë një rol më të madh në trajtimin e krizës së refugjatëve.

"Kina ka një popullsi të madhe dhe nuk është e gatshme të pranojë më shumë njerëz."

Por ai thotë se Kina dhe Rusia mund të përdorin ndikimin e tyre politik për të zgjidhur krizën siriane, gjë që do të mund të frenonte largimin e këtyre njerëzve nga vendi i tyre.

Disa analistë kanë kritikuar vendet e pasura muslimane si Arabinë Saudite, Kuvajtin, Katarin dhe Bahrejnin për mos pranimin e refugjatëve sirianë. Yahaya Lawal, kreu i departamentit për çështjet politike në Organizatën e Konferencës Islamike, e ka pranuar se vendet e pasura arabe mund të bëjnë më shumë për të ndihmuar refugjatët, por ai shton se Kombet e Bashkuara duhet të luajnë një rol më konstruktiv si një organ ndërkombëtar.

"OKB-ja duhet të krijojë një mjedis ku njerëzit do të mund të qëndronin në vendin e tyre dhe eksodi masiv i njerëzve do të mund të ndalej", thotë ai.

Roli i Shtetve të BAshkuara

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry të dielën njoftoi një rritje në 100.000 të numrit të refugjatëve që Shtetet e Bashkuara do të pranojnë në vitin 2017. Ai nuk tha se sa do të jenë nga Siria. Por John Dalhuisen, drejtor i organizatës Amnesty International për Europën, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe disa prej aleatëve të saj të pasur që të bëjnë më shumë për trajtimin e krizës së refugjatëve.

"Natyrisht duhet të ketë një zgjidhje globale të krizës së refugjatëve dhe mbështetje rajonale, shtetet e Gjirit, Australia, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet e Amerikës së Jugut duhet të bisedojnë për të gjetur një zgjidhje më të sofistikuar".

Por zoti Payind thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të kritikohen për mos pranimin e një numri më të madh refugjatësh.

"Shtetet e Bashkuara janë kritikuar për mos pranimin e një numri më të madh refugjatësh duke marrë parasysh fuqinë e saj ekonomike, por kjo është e padrejtë. Amerika pranon një numër të madh emigrantësh nga e gjithë bota, duke përfshirë zonat e konfliktit, si Somalia, Afganistani, Libia dhe vende të tjera".

Shtetet e Bashkuara kanë pranuar 70.000 refugjatë vitin e kaluar që i ka kushtuar rreth 1.1 miliard dollarë qeverisë federale, për të mbuluar koston e procesit të shqyrtimit të kërkesave dhe shërbimet ndaj tyre për pesë vitet e ardhshme.

XS
SM
MD
LG