Lidhje

SHBA, reagimi i myslimanëve për Orlandon

  • Elizabeth Lee

Myslimanët në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë marrë pjesë në ceremoni përkujtimore dhe kanë folur kundër autorit të sulmit në Orlando, përgjegjës për vrasjet masive, më e rënda në historinë e vendit.

Është Ramazan – koha kur myslimanët hanë vetëm pas perëndimit të diellit, dhe një periudhë reflektimi. Në Ramazanin e këtij viti, shumë myslimanë në mbarë Shtetet e Bashkuara besojnë se është koha për të ngritur zërin.

“Ne shprehim dënimin tonë të qartë dhe të prerë kundër këtij akti”, thotë Hedab Tarifi me Qendrën Islamike për Kaliforninë Jugore.

Ata dënojnë aktin e Omar Saddiqui Mateen-it, që autoritetet thonë se shprehu besnikërinë ndaj Shtetit Islamik gjatë sulmit brenda në klubin e natës në Orlando. Që nga Los Anxhelesi e deri në Uashington, myslimanët thonë se vrasësi nuk pasqyron besimin e tyre fetar. Hussein Gul është nga Virxhinia.

“Në se je person i një besimi dhe ke dashurinë e krijuesit tënd në zemër, nuk ka vend për urrejtje; nuk ka vend për krim. Këta njerëz janë kriminelë. Ata përdorin çdo arsye për të arritur qëllimet e tyre.”

Në Las Vegas, amerikano-myslimani Jesse Sbaih, që është kandidat për anëtar në Kongres, thotë se vrasësi nuk e përfaqëson atë.

“Ai person nuk flet për mua. Kështu që nuk më duhet të kërkoj ndjesë për atë që bëri. Ne si komunitet mysliman, dhe këtu flas për vete dhe për gjithë komunitetin myslimano-amerikan në këtë vend, ne jemi aq të tronditur, të zhgënjyer dhe të lënduar sa çdo amerikan tjetër në këtë vend."

Në Orlando, Tariq Rasheed thotë se preferon ta quaj vrasësin të çmendur.

"Nuk duhet ta quajmë mysliman pasi myslimanët nuk vrasin. Myslimanët janë njerëz që jetojnë në paqe. Kurani na mëson të respektojmë stilin e jetesës të komuniteteve të ndryshme."

Në një ceremoni në Uashington, pati një mesazh për myslimanët që janë homoseksual.

“Vëmendja duhet të përqëndrohet tek myslimanët LGBT. T’u japim atyre zë. Si një aleat, gjithçka që unë mund të bëj, është t’u sigurojë atyre këtë platformë.”

Në Los Anxheles, Qendra Islamike e Kalifornisë Jugore mbajti një ceremoni me një mesazh ndaj ekstremistëve të dhunshëm.

“Në se besoni në Zot, duhet të besoni në barazinë njerëzore dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor të secilit. Ne i qëndrojmë besnik fesë dhe jo shfrytëzimit të saj. ISIS, jeni të neveritshëm. ”

Këta udhëheqës të komuniteteve myslimane thonë se uniteti mes të gjitha besimeve është i rëndësishëm. Ata u angazhuan të luftojnë ektremizmin e dhunshëm dhe të luajnë rol në procesin e kapërcimit të ndasive.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG