Lidhje

Mustafa: Jo trajtim të veçantë për veriun e Kosovës


Mustafa: Jo trajtim të veçantë për veriun e Kosovës

Mustafa: Jo trajtim të veçantë për veriun e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se një pjesë e sfidave me të cilat po përballet Kosova, përfshirë situatën e rëndë në veriun e vendit do të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm. Ai hodhi poshtë çdo ide për trajtim të veçantë të veriut të banuar me shumicë serbe. Në intervistën dhënë Zërit të Amerikës, zoti Mustafa tha se bisedimet Kosovë – Serbi ishin të papërgatitura dhe jo transparente

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, jemi në ditët e fundit të vitit 2011 dhe në këtë periudhë është e zakonshme që të bëhen bilance të zhvillimeve që e kanë karakterizuar atë. Si e vlerësoni ju këtë vit për Kosovën?

Isa Mustafa: Ka qenë një vit mjaft i rëndë, mjaft sfidues. Një vit në të cilin ne kemi hyrë me zgjedhje të reja për institucionet e Republikës së Kosovës, për të cilat ka pasur shumë vërejtje, ka pasur edhe ndryshime ndërkohë. Po ashtu, një vit ku janë zhvilluar negociatat dhe dialogu me Serbinë për çështjet e hapura që i kemi në të cilat ka pasur mospajtime dhe pajtime të ndryshme, varësisht prej këndeve të shikimit, çështjeve që janë diskutuar dhe koncepteve dhe mënyrave se si janë diskutuar ato. Ka pasur po ashtu edhe probleme të qëndrueshmërisë buxhetore dhe zhagitjes së aprovimit të buxhetit të Republikës së Kosovës që ka shtyrë shumë punë dhe shumë investime për një periudhë të caktuar kohore. Ka pasur ngecje sa i përket arritjes së objektivave që janë premtuar nga ana e qeverisë, sa i përket zhvillimit ekonomik, uljes së papunësisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe janë këto sfida të cilat praktikisht po na nxjerrin nga ky vit dhe po na barten disa prej tyre ose gati të gjitha edhe vitin e ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Ajo që e nxori Kosovën në kryetitujt e lajmeve botërore ishte situata në veriun e Kosovës. Si e shihni ju epilogun e situatës së atjeshme?

Isa Mustafa: Ky është një problem i cili është toleruar për një periudhë shumë të gjatë kohore, për këto 10-12 vite dhe nuk janë marrë masa. Ne e kemi përkrahur aksionin që ka ndërmarrë qeveria, institucionet e Republikës së Kosovës që ta shtrojnë sovranitetin në pjesën e veriut të Kosovës. Ka dalë se nuk kanë qenë gjërat ashtu si janë premtuar dhe si janë thënë publikisht, meqenëse edhe përgatitjet edhe koncepti edhe alternativat edhe zgjidhjet nuk kanë qenë të qeverisë. Për fat të mirë, kemi pasur përkrahje të faktorit ndërkombëtarë edhe të EULEX-it edhe KFOR-it dhe të faktorëve tjerë dhe të SHBA-ve, në mënyrë që mbi baza parimore të zgjidhet ky problem. Kane qenë edhe deklaratat edhe qëndrimet mjaft të mira të kancelares gjermane (Angela Merkel) lidhur me Beogradin, mos përzierjen e Beogradit dhe tërheqjen e strukturave paralele nga veriu i Kosovës dhe po ashtu ka qenë një qëndrim i mirë i BE-së, në fund që nuk është pranuar që Serbia të fitojë statusin e kandidatit përderisa kemi këto probleme në veri. Unë e shoh të themi në dy drejtime. Një, që duhet të vazhdojë presioni veçmas i institucioneve evropiane, i BE-së mbi Beogradin, që ai të tërhiqet me ndikimin e tij dhe me strukturat paralele në veri të Kosovës, me përkrahje e strukturave kriminale të cilat atje po veprojnë edhe në aspektin e krimit ekonomik edhe evazionit fiskal, por edhe të krimit të organizuar. Dhe ne anën tjetër, ne të vëmë ura të komunikimit me serbët, me popullatën në veri të Kosovës, në mënyrë që të fitojmë besimin e tyre, t’ju ofrojmë atyre ato që Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron, që ligjet e Kosovës ofrojnë, që pakoja e (Martti) Ahtisaarit ofron. Mendoj se ata mund të zhvillojnë një jetë demokratike, të zhvillohen ekonomikisht dhe të kenë perspektivën e tyre si qytetarë të Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Meqë situata në veri është e tillë çfarë është tash e 12 vjet me radhë, ka bërë që të hidhen shumë ide e propozime për zgjidhjen e saj, përfshirë edhe modele të ndryshme si ai i Tirolit, Irlandës, apo Gjermanive të pasluftës së dytë botërore. Si i gjykoni ju këto ide?

Isa Mustafa: Unë mendoj që çdo asimetri në pikëpamje të ushtrimit të pushtetit në territorin e Republikës së Kosovës, do ta ndërlikonte edhe më keq funksionimin e ligjit. Do ta pengonte vendimmarrjen parimore dhe demokratike në nivel të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe do të na sillte në një situatë që ne ta bëjmë një bosnjëzim të Kosovës, sepse Bosnja nuk është treguar si model i cili funksion ose ka funksionuar mire dhe që në perspektivë mund të jap ndonjë zgjidhje të mirë. Unë mendoj që zgjidhja më e mirë është që ajo pjesë e Kosovës të shfrytëzojë të gjitha të drejtat kushtetuese e ligjore dhe të drejtat më të avancuara me pakon e Ahtisaarit që ne i kemi përfshi edhe me kushtetutë. Ndërkaq, çdo zgjidhje tjetër e cila në formë josimetrike e përfshinë atë pjesë të Kosovës i pjesë e cila do të trajtohet në mënyrë të veçantë, do të ishte e dëmshme edhe për ne, do të ishte e dëmshme edhe për faktorin ndërkombëtarë, sepse me atë ne vetëm hyjmë në një krizë tjetër dhe nuk e zgjidhim problemin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Situata në veri bëri që Serbia të humbë rastin që të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova ndërkaq mori zotimin për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale e tregtare me BE- në si shpërblim për qasjen ndaj bisedimeve. Ju keni qeni ndër kritikët e rreptë të dialogut Kosovë – Serbi. A nuk e arsyetojnë këto përfshirjen në këtë proces?

Isa Mustafa: Unë mendoj se nuk e arsyetojnë, sepse problemi i liberalizimit të vizave nuk është çështje me të cilën ne tash do të krenoheshim. Ai është një obligim që komuniteti ndërkombëtarë dhe evropian e ka ndej nesh. Ne s’mund të na trajtojnë që të mbesim ne vrima e fundit këtu e zezë në Evropë dhe në Ballkan dhe vetëm ne të jemi të diskomunikuar nga BE-ja, sepse ne nuk paraqesim kurrfarë rreziku për BE-në, në raport me vendet e tjera që janë integruar. Në të vërtetë ne paraqesim vetëm një perspektivë të Bashkimit Evropian sepse bëhemi pjesë e tyre, komunikojmë edhe kulturat edhe vlerat dhe bëhemi pjesë e globalizimit, sepse ne kemi hyrë në një periudhë të globalizimit në të cilën nuk mund të mbetet askush jashtë të drejtës së qarkullimit të njerëzve, mallrave, kapitalit, informatave e dijes. Prandaj, në qoftë se dikush mendon që ne edhe më tutje duhet të na mbajë, është gabim. Kështu që, me këtë themi se nuk duhet marrim këtë di fitore tonën, por duhet ta marrim si ngecje të BE-së sepse është dashur që këtë ofertë të na e bëjë me herët, në mënyrë që ne të bëhemi pjesë dhe të qarkullojmë lirshëm. Ndërkaq, ne kemi qenë dhe mbesim pranë qëndrimit se kemi hyrë në dialog pa u përgatitë, pa e pasur agjendën se cilat duhet të jenë përfitimet e Kosovës nga ky dialog, pa pasur agjendë të qartë se sa do të zgjasë ky dialog, cilat çështje do të dialogohen dhe çfarë statusi do të kenë dokumentet, ose marrëveshjet, ose konkluzat sic thuhet sot, që do të arrihen me Serbinë, sepse mbeten pezull ato. Vetëm thuhet se faktori ndërkombëtarë është garant, por ajo për ne është një fat i rëndësisë së veçantë, por, natyrisht që përpos faktorit ndërkombëtarë, garant duhet të jenë edhe institucionet e Republikës së Kosovës, Parlamenti i saj dhe Parlamenti i Serbisë, që nesër do t’i bënin ato marrëveshje ose konkluza të obligueshme për të gjitha ndryshimet që ndodhin më vonë në qeverisje.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sollën gjashtë marrëveshje të cilat kanë filluar në njëfarë mënyrë të zbatohen. Që nga dje ka filluar ajo për lëvizjen e mirë. A nuk është kjo një shenjë se bisedimet nuk kanë alternativë?

Isa Mustafa: Po, gjithsesi, sepse edhe si LDK, ne gjithmonë duke u nisë nga presidenti Rugova, kemi qenë parti që në qoftë se diçka kemi kërkuar dhe kemi dashtë është dialogu. Dhe është zgjidhja e problemeve përmes dialogut dhe marrëveshjeve paqësore që bëhen me fqinjët dhe me vendet tjera. Në asnjë rast LDK-ja nuk ka qenë kundër dialogu, mirëpo LDK-ja ka qenë për një dialog i cili ka një agjendë, ka një qëllim të caktuar, që ka një objektiv të përcaktuar për fushat për të cilat duhet të dialogohet dhe ne kemi konsideruar se jemi futur ne shpejtësi, pa informata të mjaftueshme dhe se dialogu të përcillet me një transparencë, në mënyrë që çdo gjë që dialogohet duhet t’i prezantohet Kuvendit të Kosovës, duhet të marrë një lloj miratimi të Parlamentit. Ne duhet të sillemi si shtet, duhet të marrim përgjegjësinë për dialogun dhe si parti politike edhe LDK-ja do të përkrahë gjithë atë që është në dobi të qytetarëve të Kosovës, që është në dobi të zhvillimit demokratik të rajoni dhe zhvillimeve demokratike në Evropë, sepse mendojmë që problemet duhet të zgjidhen vetëm përmes formave të tilla.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, ju jeni një ndër nënshkruesit e marrëveshjes e cila në pranverën e këtij viti zgjodhi ngërçin politik që ishte krijuar për shkak të zgjedhjes së presidentit të vendit. Atëbotë vendosët afatet kur duhet të bëhen zgjedhjet, qoftë për presidentin, qoftë për zgjedhjet e përgjithshme. A ka ndryshime në këto afate?

Isa Mustafa: Në afate ne nuk kemi ndryshime. Nuk kemi kurrfarë bisedash lidhur me ndryshimet në afate e as qëndrime për këto ndryshime. Unë kam informata se edhe njëri edhe tjetri komision që janë emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në bazë të Rezolutës, sepse marrëveshja jonë kaloi në një rezolutë që është aprovuar në Parlamentin e Republikës së Kosovës, mund t’i kryejnë punët e tyre në afat. Tani për tani nuk ka ndonjë arsye që zgjedhjet të mos u përmbahen këtyre afateve. Sidomos, tash i referohem zgjedhjes për president të Republikës së Kosovës, sepse për zgjedhjet nacionale jemi marrë vesh që përfundimisht të jenë në vitin 2013. Ne në vitin e ardhshëm do të hyjmë edhe në ndryshimet kushtetuese që janë të lidhura me pavarësinë e mbikëqyrur, prandaj, në këtë aspekt, ne në qoftë se ka nevojë të zhvillojmë negociata, të këmbejmë mendime, ato duhet të bëjnë më Parlamentin e Republikës që është i autorizuar të marrë edhe vendime të tjera.

XS
SM
MD
LG