Lidhje

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë u takuan në Bruksel


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç, janë shprehur të përkushtuar ndaj marrëveshjeve të arritura në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Komentet e saj pasuan një “darkë joformale” me të dy kryeministrat, e cila sipas saj, u mbajt në “kontekst të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

“Të dy kryeministrat patën një diskutim të hapur për gjendjen aktuale të bisedimeve, në veçanti sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të 25 gushtit”, thuhet në një njoftim të zyrës së zonjë Mogherini, në të cilin nënvizohet se “të dy palët e kanë përsëritur përkushtimin e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash”.

Kosova e Serbia janë përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane.

Më 25 gusht Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje mbi telekomin, energjinë lëvizjen e lirë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe. Këto marrëveshje çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ku opozita thotë se është e vendosur që të mos pranojë e as të lejojë të zbatohen marrëveshjet që sipas saj, rrënojnë shtetin e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG