Lidhje

Mbeturinat si thesar


Departamenti i Pastrimit në Nju Jork, mbledh çdo ditë mbi 12 mijë ton plehra dhe material të riciklueshëm. Dhe përmes përpjekjeve të një njeriu dhe ëndrrës së tij, Departamenti i Pastrimit ka koleksionin e vet muzeal të mbeturinave, që siç thotë ai, është kthyer në një thesar. Koleksioni tani ndodhet në një garazh të Departamentit të Pastrimit, por ndoshta një ditë do të jetë i hapur për publikun, kur të ndërtohet një muze i vërtetë i këtij Departamenti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bernard Shusman, njofton nga Nju Jorku.

Kur ngjit shkallët dhe shkon në katin e dytë të garazhit të Departamentit të Pastrimit në Harlemin lindor, në çdo kënd shikon një koleksion të objekteve shtëpiake të hedhura nga banorët e Nju Jorkut.

Nelson Molina, një punonjës në këtë department, është kuratori i këtij thesari mbeturinash. Molina ka punuar për 34 vjet me Departamentin dhe për të paktën 30, ka vënë në jetë ëndrrën e tij. Sytë dhe shqisat e tij e drejtojnë nga zbulimet e tij.

“Në Nju Jork, njerëzit hedhin gjithçka. Kështu që, po më vure në dispozicion tre muaj, unë ndoshta do të furnizoja një apartament me dy dhoma gjumi. Mund të gjesh gjithçka: paisje dhomash ndenjieje, dhomash gjumi, kuzhine, banje. Çdo gjë!”, thotë ai.

Ky garazh që nuk bie në sy, ka brenda tij katër Mona Liza, mijëra paisje mobilimi, qelqurina të kohëve të shkuara, një koleksion afrikan, piktura dhe postera që janë varur me kujdes në mure, deri tek një foto e njeriut të parë në hënë dhe një tablo e bukur e Krishtlindjes dhe kështu vazhdon pa fund. Por disa objekte janë më të veçantat.

“Ky është Ylli i Davidit për të cilin po flisja, në kujtim të 11 shtatorit, krijuar nga çeliku i Qendrës Botërore të Tregëtisë. Këtë e gjeta në garazh”, thotë zoti Molina.

Një tjetër gjetje e rrallë, ishin dritaret me qelq të ngjyrosur, nga një kishë 120 vjeçare, që ai i gjeti në rrugë.

Antropologia Robin Nagle thotë se i gjithë koleksioni është një dritare në stilin e jetesës së amerikanëve.

Magjinë e këtij koleksioni e shton shumëllojshmëria e detajeve, e së kaluarës bashkëkohore të shoqërisë sonë, të qytetit tonë të Nju Jorkut, të jetës amerikane të dekadave të kaluara, por njëkohësisht të ditëve të sotme... Është si arkeologët që shohin reliket dhe arturinat nga civilizimet e lashta për të interpretuar jetën e atyre që i kanë pasur ato objekte. Të njëjtën gjë mund të bësh me mbeturinat që hedhin njerëzit sot”.

Molina nuk del më të mbledhë mbeturina. Ai sa ka dalë në pension dhe tani kujdeset për koleksionin dy-tre herë në javë. Iu desh dekada punë dhe përkushtim për të arritur këtu dhe një intuitë që Molina thotë është si llampë elektrike që ndizet sa herë që mes plehrave ka diçka që ia vlen ta ruash.

XS
SM
MD
LG