Lidhje

Muzeu Gugenhajm prezanton artistin korean Li Ufan


Muzeu Gugenhajm prezanton artistin korean Li Ufan
Muzeu Gugenhajm prezanton artistin korean Li Ufan

Për herë të parë, një muze amerikan ka organizuar një ekspozitë me veprat e artistit korean, 75-vjeçarit Lee Ufan. Artisti lindi në Kore por ka jetuar dhe studiuar në Japoni, ku gëzon respekt të gjerë nga breza të ndryshëm për rolin e tij në lëvizje të rëndësishme filozofike dhe artistike, që i kundërvihet prirjes për asimilim nga kultura perëndimore. Muzeu Gugenhajm në Nju Jork ofron një mjedis unik për veprat e artistit, falë arkitekturës spirale që përshtatet me nocionin e vetë punimeve të Lee Ufan.

“Identifikimi i Pafundësisë,” retrospektiva e parë e Lee Ufan në një muze amerikan, përfshin 70 piktura, skulptura dhe skica. Ato mbushin një kat në kupolën dhe gjashtë pistat e muzeut Gugenhajm – një ndër veprat e fundit të arkitektit Frank Llojd Rajt.

Artisti e mbikqyri vetë vendosjen e veprave në muzeum gjatë një periudhe 3 javore, duke përfshirë shembuj nga krijimtaria e tij 5 dekadëshe në një përfaqësim të vetëm dhe të pandërprerë.

Aleksandra Manro është kuratore e muzeut për artin aziatik:

“Për Lee Ufan, prezantimi në hapësirën nën kupolën e muzeut përbën një hap të madh në vetë mënyrën si artisti e koncepton krijimtarinë e tij dhe faktin që në thelb, muzeu Gugenhajm synon të ndërgjegjësojë individin mbi raportin e objektit me hapësirën”.

Në këto piktura, të titulluara “Nga Pika”, gjurmët që ka lënë në telajo peneli i artistit, fashiten gradualisht me mbarimin e bojës, duke simbolizuar kalimin e kohës në intervale të rregullta. Këto janë njëkohësisht piktura dhe prezantime, që bashkojnë kohën me hapësirën.

Ufan përjetoi gjatë jetës së tij disa luftra, si dhe revanshin e kulturës moderne, që ndërpreu sistemet e lashta filozofike.

“Ajo që qëndron në zemër të artit të tij është pasiguria; gjërat e papërcaktuara, objekte të shpërndara, që lënë vend për interpretim dhe për përjetimin e vetë individit. Titulli i ekspozitës është “Identifikimi i Pafundësisë”. Pafundësia është e kundërta e statusit të përcaktuar. Ai na fton të gjithëve të imagjinojmë një botë ku njeriu bashkëjeton me atë që ai e quan ‘tjetra’ qoftë, natyra, aktualja dhe e kaluara”.

Në veprat e ekspozuara, bashkekzistojnë të kundërtat si në këto skulptura. Gurë dhe fragmente të rënda prej çeliku qëndrojnë pezull të mbajtura nga shtëllunga pambuku.

“Këtu ka edhe një ide tjetër shumë të rëndësishme që shihet si në skultpurë dhe në pikturat e tij, që unë e quaj “etika e vetëpërmbajtjes’.

Artisti përpiqet të na veçojë nga trashëgimia etnike, historitë, mitologjitë dhe shqetësimet psikologjike. Arti i tij, pa një subjekt realist, i përket shkollës së aktualitetit.

Lee Ufan i fsheh shpesh pikturat dhe skulpturat në vende krejt të papritura dhe ballafaqimi me to, padyshim ofron kënaqësi të veçantë për vizitorët.

Ekspozita e artistit Lee Ufan do të qëndrojë e hapur deri më 28 shtator.

XS
SM
MD
LG