Lidhje

Muzeu i Pafajësisë në Stamboll, reflektim i romanit me të njëjtin titull të Pamukut


Muzeu i Pafajësisë i hapur së fundmi në Stamboll përshkruan historinë e trazuar të viteve ’60 dhe ’70 dhe e ka marrë temën nga libri me të njëjtin titull i nobelistit Orhan Pamuk. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli për shkrimtarin dhe muzeun e tij.

Fituesi i çmimit Nobel për letërsinë Orhan Pamuk thotë se Muzeu i Pafajësisë është i veçantë dhe i përkushtohet jetës dhe kohës së personazheve letrare të librit të tij “Muzeu i Pafajësisë”, Kemal dhe Fusun.

“Ne përpiqemi të rikrijojmë atmosferën e romanit, ndërthurur me Stambollin melankolik të viteve ’60 dhe ’70 dhe të përftojmë një hapësirë nostalgjie dhe të pazakontë, përmes objekteve jetësore të vërteta dhe të zakonshme”.

U deshën thuajse dy dekada për të realizuar muzeun që ndodhet në një banesë të shekullit të 19-të ku janë vendosur 83 stenda dhe ekspozita për të pasqyruar 83 kapitujt e librit. Ashtu si në roman, ku vetë Pamuk shfaqet si një nga personazhet, shumë nga materialet në muze janë të vetë autorit.

“Unë përdora fotografitë e mia personale dhe objekte që paraqiten sikur janë të personazhit të librit. Nuk është lehtë t’i identifikosh, kështu që në Muzeun e Pafajësisë, ashtu si edhe në roman, kufiri mes botës reale dhe asaj imagjinare nuk është gjithmonë i qartë. I gjithë arti i këtij romani qëndron tek pyetja që lexesit i bëjnë vetvetes: a e ka jetuar autori këtë, apo e ka imagjinuar? Pak a shumë unë bëra të njëjtën gjë me muzeun”.

Muzeu me sa duket është shumë i pëlqyer nga vizitorët:

“Është i mrekullueshëm. Është pasqyrim i jetës së brendshme dhe emocionale të Pamukut, si edhe i personazheve të librit. Po ashtu është diçka krejt e veçantë”.

Suksesi letrar në shkallë botërore i Pamukut, i atribuohet aftësisë së tij për të përshkruar përmes personazheve të tij melankolinë e Stambollit, dikur një kryeqytet perandorie, lavdia e të cilit u venit më pas.

Por vendndodhja e muzeut rrëfen një histori tjetër, atë të transformimit të Stambollit. Kur Pamuk bleu ndërtesën para 15 vjetësh, zona ishte e rrënuar dhe e varfër. Tani po bëhet me shpejtësi një nga zonat më moderne të qytetit, me galeri artesh dhe çmime të larta të godinave.

“Lexuesit e parë turq të brezit të ri më thanë ‘zoti Pamuk, Stambolli im është shumë më i gëzueshëm. Nuk është i trishtueshëm dhe melankolik’. Jam dakord me ta. Por mos u gënjeni nga 1 milionë të lumturit në qendër të qytetit që janë buzë Bosforit. Stambolli ka 13 milionë banorë. Ka qindra mijëra të papunë nëpër periferi që janë ende të varfër”.

Edhe politika ka ndryshuar për periudhën që përshkruan muzeu. Më së shumti ishte nën hijen e regjimit ushtarak. Një nga personazhet në librin e Pamukut, torturohet dhe kalon vite të tëra në burg.

Sot gjeneralët e ushtrisë janë në gjyq për grushte shteti dhe konspiracion. Pamuku vetë ka qenë dikur në shënjestër të një komploti, ku sipas prokurorëve organizatorët donin ta vrisnin për pikëpamjet e tij liberale. Përgjigjes nëse është optimist për të ardhmen e Turqisë, shkrimtari i përgjigjet i përmbajtur.

“Jam i kënaqur që ushtarët që përgatitën gjithë ato grushte shteti, që torturuan dhe i fyen intelektualët dhe popullin e këtij vendi, të paktën po hetohen. Eshtë diçka e domosdoshme për një shoqëri të hapur, liberale dhe demokratike. Por njëkohësisht unë jam i trishtuar dhe pesimist pasi aq shumë gazetarë janë në burgje”.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, mbi 100 gazetarë janë të burgosur në Turqi. Qeveria i mohon këta shifra. Por vëzhguesit thonë se Turqia e re po e trajton mirë Pamukun. Emri i fituesit të çmimit Nobel nuk shfaqet më në gazeta për përndjekje nga qeveria, por për suksesin e tij. Muzeu i tij po vlerësohet nga media turke si një arritje tjetër e rëndësishme.

XS
SM
MD
LG