Lidhje

Muzeu i Spiunazhit në Uashington tërheq vizitorë të rinj

  • Natalia Dmitrochenko

Muzeu i Spiunazhit në Uashington tërheq vizitorë të rinj

Muzeu i Spiunazhit në Uashington tërheq vizitorë të rinj

Muzeu Ndërkombëtar i Spiunazhit në Uashington shpreson të zotërojë së shpejti një koleksion të ri me objekte spiunazhi, pas shkëmbimit të fundit të agjentëve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Shkëmbimi ishte më i madhi mes dy vendeve që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Akuzat kundër 12 rusëve i ngjajnë një kapitulli nga një libër spiunazh. Deri 10 agjentë rusë janë shkëmbyer për katër të burgosur që mbaheshin në Rusi.

Muzeu Ndërkombëtar i Spiunazhit ndodhet vetëm 10 kilometra larg vendit ku jetonin agjentët rusë në rrethinat e Uashingtonit. Pranë hyrjes së ekspozitës janë vendosur fotografitë e agjentëve të zbuluar sovjetikë. Në një sallë tjetër ndodhet e ashtu-quajtura ‘Shkolla e Spiunazhit’.

Kjo është një makinë e përdorur në një film me agjentin Xhejms Bond. Në një ditë të zakonshme do të ishte një nga artifaktet më interesante të ekspozitës, ashtu si pistoleta që i ngjan të kuqit të buzëve dhe çadra vdekjeprurëse. Por pas skandalit të fundit, ndoshta objekti më interesant është kjo copë e thjeshtë letre që përmban një mesazh të fshehtë. Historiani Mark Stawt thotë se kjo metodë e përcjelljes së të dhënave u përdor nga agjentët rusë të sapo-dëbuar.

“Në këtë rast specifik, kemi një regjistrim pagese. Nën të, është fshehur një mesazh sekret që del duke përdorur dritë ultravjollcë. Ka mënyra të ndryshme për ta realizuar këtë, por kjo është një metodë tradicionale që ekziston prej 1 shekulli dhe që rusët e kanë përdorur në këtë rast të fundit”.


Pak hapa më tutje ekipi ynë i zhirimit e kupton se është nën vëzhgim. Me sa duket, nuk është vetëm kameramani ynë që regjistron çdo gjë që ndodh rrotull nesh. Këto syze fshehin brenda tyre një kamera. Më tutje ndodhet një valixhe. Por të mos i shkojë kujt ndër mend ta përvetësojë, pasi do t’i shkarkojë energji me voltazh të lartë.

Zoti Stawt demonstron si funksionojnë shpikje të sofistikuara të CIA-s apo KGB-së.

“Një nga shembujt e mi të preferuar është kjo këpucë që shërbente për të fshehur materiale sekrete për KGB-në në vitet 80. Mjete të tilla merrnin formën e objekteve të zakonshme, ku mund të fshiheshin materiale sekrete. Zakonisht fshihej film apo pajisje komunikimi”.

Kjo shishe vodke dhe kjo shishe me krem fytyre janë përdorur për të transportuar mikrofilm. Kjo kreshtë ishte dhuratë e pionierëve sovjetikë për ambasadorin amerikan. Kaluan 6 vjet para se personeli i ambasadës të zbulonte në të një pajisje përgjimi. Po t’i krahasosh me pajisjet e teknologjisë moderne, shumë nga këto artifakte në ekspozitë u ngjajnë më tepër objekteve të përdorura për realizim filmash me temë spiunazhi. Por disa prej tyre vazhdojnë të përdoren edhe sot nga agjentë të vërtetë.

XS
SM
MD
LG