Lidhje

Muzeu Pompidou feston 40 vjetorin


Parisi shënon këtë vit 40-vjetorin e prej ndërtesave simbol të qytetit, e njohur për strukturën e pazakontë dhe tubat shumëngjyrësh. Qendra Kombëtare e Arteve dhe Kulturës, Georges Pompidou, që njihet shkurt si Qendra Pompidou, u hap për publikun në janar të vitit 1977.

Paris: 40-vjetori i qendrës Pompidou
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

Arkitekti Bernard Plattner përshkon rrugët e Parisit dhe drejtohet për në muzeun e famshëm të qytetit, Pompidou. Arkitektura e pazakontë për dekada me radhë ishte një burim polemikash e kundërshtimesh nga mbrojtësit e lagjeve të vjetra, karakteristike të qytetit.

Dhe sot, 40 vjet më vonë, festohet natyra jotipike e kësaj ndërtese, e njohur si ndërtesa e kthyer mbrapsht.

“Jemi përpara fasadës emblematike që të gjithë e njohin”, thotë Plattner, ortak në studion e arkitektëve Renzo Piano Building Workshop.

Kjo ndërtesë e guximshme, e njohur për fasadën, që në fakt është struktura mbajtëse e muzeut dhe tubat shumëngjyrësh, u projektua nga Renzo Piano dhe Richard Rogers.

Arkitekti Plattner shpjegon idenë që fshihet pas arkitekturës së pazakontë.

Nocioni i ‘tejdukshmërisë’, tipar i pastër arkitekturor; na pëlqen xhami, thyerja dhe ndërthurja me gurin. Kjo ‘tejdukshmëri’ të lejon të shikosh çfarë ndodh brenda ndërtesës. Ideja e arkitektëve që e projektuan, ishte që ky muze të dukej tërheqës e të ngjallte kureshtje edhe nga jashtë, në mënyrë që të afronte edhe ata që nuk shkojnë zakonisht në muze.

E projektuar për të pritur 5,000 vizitorë çdo ditë, qendra tërhoqi pesë herë më shumë njerëz, të cilët vijnë këtu për të parë koleksionet e artit bashkëkohor dhe modern, video, librari dhe ekspozita të përkohshme.

Pompidou u rihap në vitin 2000, pas një riparimi i cili kushtoi 135 million dollarë. Sot tërheq mijëra parizianë dhe vizitorë nga e gjithë bota.

“Më pëlqen që është kaq komunikuese,” thotë Tilly McHugh, nga Londra. “Këtu arkitektura është përdorur në një mënyrë që nuk e gjen në shumë ndërtesa të tjetra. Mund t’i shikosh njerëzit teksa ecin".

Shumica e 3.4 milion vizitorëve të muzeve, të cilët ishin këtu vitin e kaluar me shumë gjasa bien dakord me Agathe Pourquoi, një pariziane 22 vjeçare, së cilës i pëlqen fakti që ndërtesa është e tejdukshme.

Një tjetër vizitor, François de Froment, po nga Parisi dhe 22 vjeç, thotë:

“Pompidou është një monument për të cilin parizianët janë krenarë, simbol i faktit se në Paris, një qytet ku e kemi të vështirë të krijojmë gjëra të reja e krijuese, ndryshe nga ndërtesa klasike Hausmann, patëm kurajën të bënim këtë muze jotipik në zemër të Parisit, që u pëlqye gjerësisht.”

Parizianët dhe turistët janë ftuar të marrin pjesë në festimet për 40 vjetorin e Qendrës Pompidou. Presidenti i saj, Serge Lasvignes, thotë se kjo ndërtesë ka vlerë edhe për faktin se është dëshmi e shpirtit krijues të qytetit.

“Pompidou përfaqëson një shkëputje të plotë nga peizazhi tipik i Parisit. Ishte si një anije kozmike që zbriste në mes të qytetit, në lagjen më të vjetër dhe historike të tij. Nuk kishim parë kurrë arkitekturë të tillë para kësaj ndërtese. Nuk jam i sigurt nëse do guxonim ta bënim diçka të tillë në ditët e sotshme, për shkak të ligjeve për ruajtjen e mjedisit vendor, etj. Në Francë kishim ngecur te i njëjti model, i cili bazohej te muzetë e vjetër, skicuar si faltore, me derën dhe shkallët e përparme dhe një seri dhomash të zhytyra në errësirë. Kurse këtu kemi një qytet brenda qytetit,” thotë ai. “Arkitektura e muzeut nuk u krijua që të konkurrojë me përmbajtjen e tij. Ndërtesa nuk thotë, si shumë të tjera sot, ‘Edhe unë jam vepër arti e një arkitekti të njohur.’ Është një arkitekturë provokuese, e thjeshtë dhe komike”.

Përvjetori i Qendrës Pompidou do të kremtohet me një seri shfaqjesh, pjesësh teatrale, filmash dhe spektakle kërcimi në gjithë Francën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG