Lidhje

Muzika e Lëvizjes për të Drejtat Civile


Të mërkurën në Shtetet e Bashkuara u përkujtua 50 vjetori i marshimit në kryeqytet dhe fjalimi i famshëm i Martin Luter Kingut “I Have a Dream”, “Unë kam një ëndërr”. Edhe pse kishte për qëllim bashkimin, Lëvizja për të Drejtat Civile karakterizohej nga ndarje të ndryshme. Dallimet ishin të dukshme edhe në muzikën që nxiti lëvizjen.


Kur mendojmë rreth përpjekjeve për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, ky është lloji i muzikës që të vjen në mendje. Kjo quhej “Freedom Song” – Kënga e Lirisë. Ishte lloji i muzikës që mund të prisje ta dëgjoje në mitingjet dhe protestat e mëdha të Lëvizjes për të Drejtat Civile. Zonja Suzanne Smith është autorja e librit “Dancing In The Street: the Cultural Politics of Detroit” – Të Kërcyerit në Rrugë: Politika Kulturore e Detroitit.

“Kjo muzikë zakonisht bazohej në traditën fetare, por teksti shpesh reflektonte mbi situatën e vërtetë me të cilën përballeshin aktivistët në atë kohë. Nëse arrestoheshin në një protestë, ata shpesh këndonin në burg për të mos u demoralizuar.”

Kjo është një këngë e quajtur “Oh Prichett, Oh Kelly,” e shkruar në burgun e qytetit Albani të shtetit Xhorxhia. Pritchett ishte shefi i policisë. Kelly ishte kryebashkiaku.

“Te kënduarit në grup i ndihmon njerëzit, mendoj, për të kujtuar se nuk janë vetëm.”
Shumë nga aktivistët e parë të Lëvizjes për të Drejtat Civile mblidheshin nëpër kisha. Kështu që këngët e tyre tingëllonin si himnet e tyre, sipas stilit të lutjes në kishat Afrikano-Amerikane, që shpesh bazohet në thirrje dhe përgjigje.

“Akti i të thirrurit dhe i përgjigjes krijon një ndjenjë komuniteti që është e ndryshme nga thjeshtë të kënduarit së bashku. Ata mund të ndiheshin të mundur, ose të frikësuar dhe ajo thirrje dhe përgjigje – ajo ndjesi e të qenurit në një dhomë plot me njerëz që këndojnë së bashku – u dha atyre zemër.”

Por këto këngë lirie nuk ishin të vetmet himne të Lëvizjes për të Drejtat Civile. Edhe kur njerëzit u përgatitën për Marshimin në Uashington, gjërat po ndryshonin. Kishte njerëz që në vend të kërkonin për barazi, kërkonin respekt.

Kënga e Aretha Franklin “Respect” u bë shumë e rëndësishme për Lëvizjen e të Drejtave Civile – një këngë e muzikës pop me një kuptim më të thellë.
Këto këngë të reja, shumica e të cilave u prodhuan nga kompania muzikore Motown, e bazuar në Detroit, ishin të ndryshme nga këngët e hershme të lirisë. Edhe në përmbajtjen e tyre, dhe sipas profesoreshës Smith – edhe në mënyrën se si dëgjoheshin.

“Këngët e lirisë së bashku tregonin rreth eksperiencës së grupit. Ndërsa këngët e Motown-it ishin këngë që mund t’i dëgjoje me njerëz të tjerë, por shpesh ishin në radio ose në ndonjë festë dhe ishte më shumë një eksperiencë perceptuese se sa pjesëmarrëse.”

Ndryshimi në stilin muzikor reflektonte një ndryshim në trajtimin e çështjes nga aktivistët e parë dhe nga më të rinjtë. Muzika e periudhës së Lëvizjes për të Drejtat Civile ndryshoi së bashku me disidentët.
XS
SM
MD
LG