Lidhje

Personat me aftësi të kufizuara shpresa dhe probleme


Ndërsa presin një ligj më të mirë dhe një trajtim më të mirë nga shteti dhe shoqëria personat me aftësi të kufizuara po jetojnë në kushte përherë e më të vështira mjekësore, familjare, ushqimore, pa strehim, transport dhe punësim të përshtatshëm. Shoqata e parë e tetraplegjikëve me degët e veta në të gjithë Shqipërinë regjistron 6 mijë e 850 persona që jetojnë në karrige me rrota nga mosha 1-55 vjeç.

Kryetarja e shoqatës Mybera Prizreni thotë se problem kryesor mbetet strehimi ndërsa shumë pika nga statusi i paraplegjikut kanë filluar të shfuqizohen; është shfuqizuar e drejta për të marrë kredi të buta; është shfuqizuar mbulimi i energjisë elektrike nga marsi 2012, duke harruar se këta persona janë totalisht të varur nga përdorimi i energjisë elektrike.

Qeveria shqiptare po harton një strategji të re në ndihmë të tyre. Në një konferencë të përbashkët me Caritasin shqiptar për mbrojtjen sociale të personave me aftësi të kufizuara, zv.ministrja e mirëqenies sociale Bardhylka Kospiri thotë se shërbimet sociale deri tani janë përqëndruar vetëm në ndarje pensionesh dhe ndihmash në para. Qeveria shqiptare po bashkëpunon me UNICEF dhe me UNDP për hartimin e një strategjie të re, ku personat me aftësi të kufizuara kanë një vend kryesor.

Por kryetarja e shoqatës së persoanev me aftësi të kufizuara Mybera Prizreni, është skeptike për masat e reja, të cilat sipas saj, po bëjnë hapa prapa. Ajo tha se qeveria e re socialiste u premtoi kthimin në vend të të drejtave të tyre të mohuara nga demokratët, por në afro një vit nuk e bëri këtë, madje po u cënohen edhe të drejta të tjera.

Shërbimet sociale dhe punonjësit janë të pamjeftueshëm. Për të shtuar këto shërbime duhet të ndihmojnë qeveria qendrore, pushteti vemdor dhe komuniteti i banorëve. Në zonat fshatare ka shumë fëmijë me aftësi të kufizuara që dëshirojë të ndjekin shkollat dhe që kanë vështirësi të shumta.Në konferencën e Caritas-it mori pjesë edhe deputeti i parlamentit austriak, Franc Josef Huainig, i cili ka ardhur për të ndihmuar organizatat shqiptare që mbështesin personat me aftësi të kufizuara. Ai tregoi përvojën e vet të vështirë dhe paralajmëroi se tregu i punës dhe shërbimet sociale shpesh nuk përputhen me njëri tjetrin.

Kujdesi për personat me aftësi të kufizuara është rritur mjaft në ato raste ku diskriminimi i tyre është ulur. Prandaj bashkë me kujdesin duhet shtuar edhe informacioni për këtë komunitet. Zonja Prizreni thotë se në këtë periudhë një pjesë e personave me aftësi të kufizuara po rishqyrtohen nga komisionet mjekësore dhe po u hiqet statusi pa të drejtë, në përpjekje për të pastruar listën nga abuzimet. Ajo shtoi se shoqata po bashkëpunon me autoritetet shtetërore që të pastrohen listat nga spekullantët, por duhet bërë kujdes që të mos dëmtohen vetë personat me aftësi të kufizuara.

Personat me aftësi të kufizuara po kërkojnë vetëm minimumin jetik, ndërkohë që cilësia e mallrave dhe e shërbimeve ndaj tyre është shumë e dobët. Karriget janë shumë të rënda, përshtatshmëria e terrenit është shumë e keqe. Personat me aftësi të kufizuara janë grupuar në 5 organizata dhe në një këshill kombëtar, i cili përfaqëson rreth 150 mijë antarë.

Sipas të dhënave të vetë shoqatave, invalidët e punës janë rreth 58 mijë persona, para&tetraplegjikët janë mbi 6 mijë e 850 vetë, ata që nuk dëgjojnë janë rreth 60 mijë, të verbërit janë mbi 11 mijë persona, handikapatët mendorë janë rreth 40 mijë vetë; shifra që shkojnë në rreth 175 mijë banorë, por zyrtarisht ata që përfitojnë diçka nga shërbimet shoqërore përbëjnë rreth 150 mijë persona.

XS
SM
MD
LG