Lidhje

Myftiu i Shkodrës dënon sulmet e Parisit

  • Pëllumb Sulo

Në një interevistë për Zërin e Amerikës, Myftiu i Shkodres, Imam Muhamed Sytari dënoi me force aktet e dhunes dhe terrorizmit të ditve të fundit ne Paris dhe u shpreh se nuk ka fe ne bote qe te pranojë terrorizmin. Komentet e tij Imam Muhamed Sytari i beri sot ne diten perkujtimore te 25 vjetorit te rihapjes së Xhamisë së Plumbit, ngjarje kjo qe shenoi rifitimin e lirive fetare edhe per besimtaret muslimane ne Shqipëri.

​Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, tha sot gjatë një interviste për Zërin e Amerikës se kishte përjetuar me shumë dhimbje ngjarjen që ndodhi gjatë mbrëmjes së të premtes në një nga kryeqendrat botërore të mesazheve të lirisë, solidaritetit, vëllazërisë dhe qytetërimit, siç është Parisi. Imam Sytari tha se dënonte maksimalisht aktin terrorist që i mori jetën qytetarëve të pafajshëm.

"Forma të tilla të dhunës dhe të terrorizmit normalisht i dënojmë kategorikisht, kudo qofshin, kudo që të ndodhin, nga kushdo që të jetë dhe në emër të cilësdo fe po të jetë. Por, unë besoj se nuk ka fe në botë që pranon terrorizmin. As islami, as krishtërimi, as judaizmi nuk e pranon terrorizmin dhe nuk ka thirrje, në asnjë prej feve tona, falë Zotit, për të vra njeriu njerinë, për të shkatërru pronën apo për të dënu realitetet me të cilat përballet njeriu, për të dhunu harmoninë e njeriut me natyrën dhe kështu me rradhë. Dënojmë maksimalisht dhe i lutemi Zotit për shpirtërat e krejt njerëzve të pafajshëm".

Myftiu i Shkodrës tha se feja islame nxit paqen sociale dhe atë në mbarë botën duke refuzuar dhe dënuar maksimalisht çdo shfaqje të urrejtjes në emër të feve.

"Ditën e premte, pra të xhumanë, kur po mbaja fjalimin përpara një turme shumë të madhe besimtarësh, po ju thoja se ne sot jemi ëe ftuar të përcjellim maksimalisht mësimet e Kuranit dhe traditat e Profetit Muhamed, që janë nxitëse për ruajtjen e paqes sociale dhe asaj globale në mbarë botën. Normalisht, duke u distancu maksimalisht e në të gjitha format nga dhuma, terrori, ekstremizmi, nga të gjitha format e shfaqjes së urrejtjes së njeriut për njeriun, pa le po të jetë urrejtja edhe në emër të feve, që do të ishte një katastrofë e madhe, të cilën ne nuk e pranojmë, e refuzojmë dhe e dënojmë maksimalisht".

Shekulli i 21–të tha Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, duhej të ishte shekulli që të dëshmonte harmoninë, komunikimin dhe bashkëveprimin mes njerëzve dhe jo dhunën që nuk e pranon feja dhe që e dënon si kurani, ashtu edhe bibla. Ndaj, shtoi ai, sot, më shumë se kurrë kemi nevojë për të përcjellë mesazhet e besimit dhe respektimit të jetës.

"Ne sot, më shumë se asnjëherë tjetër kemi nevojë të përforcojmë thirrjen që bën Kurani dhe që bën Profeti Muhamed që, kushdo që vret një njeri me pa të drejtë është si të kishte vra mbarë botën dhe kushdo që shpëton një njeri është sikur të kishte shpëtuar mbarë botën. Sot, më shumë se asnjëherë tjetër ne kemi nevojë të përcjellim mesazhet e besimit, në të cilat thuhet se njeriu është vëlla i njeriut. Dhe ne sot kemi nevojë të nxisin rininë, në veçanti fëmijët tanë, e t’i edukojmë me frymën e mirëkuptimit, me frymën e respektimit të jetës, me frymën e respektimit të lirisë së besimit".

Komentet e tij për Zërin e Amerikës, Imam Muhamed Sytari i bëri sot, pikërisht në ditën përkujtmore të 25 vjetorit të rihapjes së xhamisë së parë në Shqipëri, Xhamisë së Plumbit, pas një periudhe të gjatë të persekucionit komunist në Shqipëri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG