Lidhje

Në Tiranë po shtohen përpjekjet për integrimin e fëmijëve që nuk shohin


Në Tiranë po shtohen përpjekjet për integrimin e fëmijëve që nuk shohin, në shoqëri, në shkolla dhe programe të posaçme. Shoqata e të verbërve dhe Instituti i Fëmijëve, që nuk shohin, po bashkëpunojnë për t'u kujdesur më shumë për ta. Pengesat kryesore përballë tyre mbeten infrastruktura, fondet ndihmëse dhe diskriminimi, që u bëhet personave të verbër.
Fëmijët dhe të rinjtë që kanë vështirësi me shikimin po hasin pengesa të mëdha për t'u integruar në shoqëri, megjithëse ndihma për ta nuk ka munguar. Deri tani janë së paku 820 fëmijë e të rinj nën moshën 18 vjeç, që kanë vështirësi shikimi të shkallëve të ndryshme. Por kryetari i shoqatës së të verbërve, Sinan Tafaj, thotë se një pjesë e konsiderueshme fëmijësh nuk pranojnë të identifikohen si të verbër për shkak të mendësive të prindërve dhe shoqërisë.

Instituti i nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi” po shkollon dhe kujdeset për 60 fëmijë nga i gjithë vendi me shpresën se talentet e tyre do ta lehtësojnë intgerimin e tyre. Drejtori i Institutit Xhemal Xhafa, tha se mentaliteti për t'u integruar këta fëmijë nuk është në lartësinë e duhur.

Midis ndihmave të ndryshme që vijnë për këta fëmijë është sivjet edhe “Programi Yes” i departamentit amerikan të shtetit. Linda Meniku, një përfaqësuese e programit u shpjegon fëmijëve të verbër, se si edhe ata mund të bëhen pjesë e konkursit për bursa shkëmbimi, që gjimnazistët shqiptarë të ndjekin për një vit shkollën në SHBA.

Profesorët e Institutit po dalin jashtë shkollës së tyre dhe po ndihmojnë fëmijët e verbër edhe në të gjitha shkollat e tjera publike për t'u përshtatur me programet dhe për të lehtësuar komunikimin me moshatarët e tyre. Këto metoda ata po i mësojnë nga përvoja e kolegëve të Italisë dhe vendeve të tjera. Zoti Xhafa thotë që, ashtu si mësuesit, jashtë mureve të instituttit duhet të dalin edhe fëmijët me vështirësi shikimi. Megjithë mungesat, instituti dhe shoqata e të verbërve nuk i ndalin përpjekjet për të ndihmuar fëmijët. Ata po bashkëpunojnë për të hartuar librat dhe një abetare të re për fëmijët e klasës së parë që nuk shohin.

Shoqata sapo i bleu institutit edhe një fizarmonikë të re dhe po përgatiten të blejë së shpejti edhe një autobus për qendrën kombëtare të rehabilitimit të të verbërve si dhe do t'i shërbejë shkollës për shëtitje të ndryshme. E themeluar qysh nga viti 1991, shoqata e të verbërve është anëtare e Bashkimit Europian të të Verbërve dhe është një nga mbështetëset kryesore të 11 mijë personave personave që kanë humbur shikimin. Sfida më e madhe e tyre është mbrojtja e dinjitetit njerëzor, lufta kundër përjashtimit shoqëror dhe ndërgjegjësimi i grupeve politike për t'i ndihmuar me ligje bashkëkohore.

XS
SM
MD
LG