Lidhje

NAAC,udhëheqësit shqiptarë në darkë festive

  • Ilir Ikonomi

Një numër udhëheqësish shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia morën pjesë mbrëmë në darkën e përvitshme të shtruar në Nju Jork nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë që nxit paqen dhe zhvillimin ekonomik në Ballkan. Organizata nderoi me çmime Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker dhe nobelistin e paqes, Muhammad Yunus. Të ndjekim materialin e përgatitur nga kolegu Ilir Ikonomi.

Çdo vjeshtë, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan mbledh në një sallë udhëheqës dhe personalitete të ndryshme shqiptare nga Ballkani, të cilët vijnë në Nju York për të përfituar nga fakti që këtu mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Ky është viti i 17 që Këshilli nderon njerëz të cilët kanë kontribuar në favor të shqiptarëve kudo që ndodhen. Mes atyre që janë nderuar në të kaluarën kanë qenë ish-Presidenti Bill Clinton dhe ish-kryeministri Tony Blair.

Ish-sekretarja e shtetit Hillary Clinton, e cila kishte njoftuar se do të merrte pjesë, tha se një konflikt në programin e saj e kishte detyruar të ndryshonte planet.

Në darkë ishin Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, kryebashkiakja e Tetovës, Teuta Arifi dhe kryetari i Bashkisë së Preshevës, Ragmi Mustafa.

Jashtë sallës, një grup shqiptarësh të ardhur nga Miçigani, që përfaqësonin Malësinë, thanë se protestonin kundër pjesëmarrjes në darkë të Kryeministrit malazez Milo Gjukanoviç. Një përfaqësues i Këshillit Shqiptaro-Amerikan i tha Zërit të Amerikës se nuk ishte e vërtetë që zoti Gjukanoviç ishte ftuar.

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, u nderua me çmimin “Duart e Shpresës”. Ai tha në fjalimin e tij se brenda këtij viti, u pa qartë se një e ardhme euroatlantike është e mundur për të gjithë.

“Kroacia hyri në Bashkimin Evropian më 1 korrik, Mali i Zi ka bërë përparime në këtë rrugë dhe më 19 prill të këtij viti, Kosova dhe Serbia arritën një sukses historik dhe tani po zbatojnë marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve. Në Shqipëri, zgjedhjet e fundit u zhvilluan mirë dhe ne, qeveria amerikane jemi veçanërisht të kënaqur që parlamenti i ri, si qeveria e kryesuar nga Zoti Rama, ashtu edhe opozita, janë mjaft të angazhuar për ta çuar përpara Shqipërinë si një aleate e shquar e NATO-s në rrugën evropiane. Dhe, siç e kam zakon t’u kujtoj miqve të mij, më shumë Evropë nuk do të thotë më pak Shtete të Bashkuara,” tha ambasadori Reeker.

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, tha se arritjet e shqiptarëve do të kishin qenë të vështira pa ndihmën e miqve dhe aleatëve:

“Pa dyshim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku dhe aleati ynë më i madh. Ato kanë qenë të pranishme në momentet më kritike të fatit tone dhe gjatë arritjeve historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve,” tha zoti Nishani.

Kryeministri Edi Rama tha se sukseset e shqiptarëve të Amerikës janë një shembull i qartë se sa e suksesshme mund të jetë Shqipëria në rrugën e saj për t’u bërë një demokraci e zhvilluar. Ai tha se përulet me admirim përpara komunitetit shqiptaro-amerikan që është një thesar kombëtar:

“Do të doja të ritheksoja gatishmërinë dhe dëshirën time të plotë për t’ju angazhuar juve që të ecim së bashku me një frymë të re bashkëpunimi në këtë fillim të ri të qindvjeçarit të dytë të Shqipërisë së pavarur,” tha Kryeministri Rama.

Ai u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve për të kontribuar, sipas fjalëve të tij, “për shpëtimin e ekonomisë së Shqipërisë, që është në një gjendje shumë të vështirë.”

Kryeministri Hashim Thaçi falenderoi zyrtarët amerikanë për njohjet e reja që ka marrë Kosova dhe që e kanë çuar numrin e përgjithshëm në 104.

“Unë vij nga një vend ku pothuajse 100 përqind e popullatës mbështet Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jam krenar për këtë. E kam për detyrim dhe për nder që t’ju falenderoj të gjithë juve për suksesin e përbashkët në Republikën e Kosovës,” tha Kryeministri Thaçi.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova ka nevojë sidomos për njohjen edhe nga 5 vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur dhe mënyra më e efektshme është duke e bërë Kosovën një vend më të mirë.

“Kjo do të thotë në radhë të parë luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe duke e bërë Kosovën një vend të sigurtë për investime private,” tha zoti Haradinaj.

Profesor Mohammed Yunus, laureat i çmimit Nobel të Paqes për vitin 2006, foli me shembuj konkretë se si funksionon programi i tij për t’u dhënë kredi të vogla të varfërve.

Në komentet për Zërin e Amerikës, Profesor Yunus tha se programi në Shqipëri sapo ka filluar dhe ai është optimist:

“Nuk shikojmë ndonjë vështirësi. Kemi disa kufizime në financim, por një interesim të jashtëzakonshëm për këtë lloj biznesi social.”

Njerëzit, sidomos të rinjtë janë të interesuar për biznesin social. Shikojmë një entusiazëm shumë të madh, tha profesor Yunus.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG