Lidhje

Nafta siriane financon ISIL


Grupi militant suni që ka marrë nën kontroll një pjesë të madhe të Irakut i ka financuar operacionet e veta pjesërisht përmes një aleance të pazakontë me një prej armiqve të tij, regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad.

Militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit synojnë të vëndosin rregulla strikte myslimane në mbarë rajonin dhe përfundimisht në tërë botën. Përpjekja e tyre e parë në Irakun perëndimor 10 vjet më parë dështoi. Shumë prej tyre shkuan në Siri për të luftuar qeverinë e atij vendi.

Në këtë proces, ata morën nën kontroll disa rafineri nafte në Siri, me mundësi burimesh të mëadha të ardhurash. Por ata mundën të gjenin vetëm një konsumator. Sipas Shiraz Maher në Kolegjin King të Londrës, ky ishte armiku i tyre, regjimi sirian.

“Regjimi sirian veproi në interes të vet dhe bëri marrëveshje me ISIL. Të dyja palët janë treguar pragmatike.”

Tashmë militantët i kanë vënë syrin rafinerisë Beiji në Irak me mundësinë e gjetjes së një burimi tjetër financimi për zgjerimin e operacioneve të tyre.

Por që rafineritë të funksionojnë, ata kanë nevojë për bashkëpunimin e fiseve lokale, me të cilat kishin armiqësi 10 vjet më parë. Pikërisht kjo ndryshoi kahjen e luftës në Irak kundër tyre.

Zoti Maher thotë se tani ata janë kthyer me një qasje të re.

“Kanë shkuar tek fiset dhe u kanë thënë se do t'ju falim sepse Shtetet e Bashkuara dhe kryeministri Maliki ju futën në rrugë të gabuar. Dhe a i kanë realizuar ata premtimet e tyre? Patjeter që jo. Ata ju tradhëtuan. Tani ne jemi kthyer me një dorë të butë.”

Një dorë të butë për suni-të ndoshta, por jo për shiitët, kryesisht për ata në ushtrinë irakiane, të cilën shumë suni e shohin si instrument shtypjeje.
Militantët shpresojnë se qasja e tyre e re do të ndryshojë kahjen e luftimeve aktuale në Irak në favor të tyre, dhe do t'i vërë ata në pozita më të forta në Siri.

Nëse plani funksionon, grupi do të ketë aleatë të rendësishëm, territor dhe para për të financuar veprime ndaj Perëndimit, paralajmëron Raffaello Pantucci i Institutit Royal United Services.

“Grupi mund ta shohë se ka nevojë për të fituar respekt dhe tregojë se është në gjendje të trashëgojë flamurin e xhihadit global. Dhe pjesë e kësaj mund të jetë ndërmarrja e sulmeve ndaj Perëndimit.”

Ekspertët kanë mendime të ndryshme nëse militantët do ta bëjë atë tani apo do të përqendrohen për të konsoliduar arritjet në Siri dhe Irak. Por ekspertët pajtohen në dy gjëra, në termin afatgjatë ISIL kërkon të bëhet një fuqi globale dhe me burimet që po merr, Perëndimi dhe aleatët gjenden përballë një pune të vështirë për frenimin e tij.









Trego komentet

XS
SM
MD
LG