Lidhje

Ndahet nga jeta ish-Zonja e Parë, Nancy Reagan


Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Nancy Reagan, partnerja e palëkundur e Presidentit të 40-ë të Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan vdiq nga problemet me zemrën në moshën 94 vjeçare.

Faqja e internetit TMZ njoftoi e para të dielën për vdekjen e saj në Bel-Air të Kalifornisë.

Dy aktorët që u bënë çifti i parë i Amerikës, ishin të martuar për më shumë se gjysmë shekulli dhe ishin në Shtëpinë e Bardhë nga viti 1981 në 1989.

Si një aktore jo shumë e njohur Hollivudi në vitet 1940, Ann Francis Robbins, e njohur në skenë si Nancy Davis, u njoh me Ronald Reaganin, që në atë kohë ishte gjithashtu aktor. Ajo e thërriste me përkëdheli “Ronnie”. Çifti u martua në vitin 1952.

Ronald Reagan ishte guvernator i Kalifornisë nga viti 1967 deri në 1975.

Si Zonjë e Parë, Nancy Reagan drejtoi fushatën “Thuaj jo” kundër drogës, duke zënë një vend të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare për të të luftuar drogat.

Një prani e vazhdueshme në krah të të shoqit, Nancy Reagan u kritikua ashpër për shpenzime ekstravagante në Shtëpinë e Bardhë në një kohë papunësie të lartë.

Zonja Reagan i qëndroi në çdo moment pranë Ish-Presidentit Reagan deri kur ai vdiq në vitin 2004, pas një dekade që vuante nga Alcaimer.

Nancy Reagan do të varroset pranë bashkëshortit të saj në vendin ku ndodhet Biblioteka Presidenciale, Ronald Reagan në Simi Valley të Kalifornisë.

Ajo lë pas një vajzë, Patti Davis dhe një djalë, Ron Reagan.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG