Lidhje

Nasa drejt fundit të udhëtimeve me anijet e hapësirës


Nasa drejt fundit të udhëtimeve me anijet e hapësirës
Nasa drejt fundit të udhëtimeve me anijet e hapësirës

Anija amerikane e hapësirës Diskavëri do të niset nga Florida me një nëntor për një mision në Stacionin Orbital Ndërkombëtar. Ky do të jetë një nga misionet e fundit të anijes; NASA po i jep fund programit dhe do ta heqë nga puna flotën e anijeve vitin e ardhshëm. Materiali në vazhdim sjell hollësi se si agjencia amerikane e hapësirës po planifikon një rrugë të re për eksplorimin e hapësirës nga njerëzit.

Që nga fillimi i viteve 1980, anija e hapësirës ka dërguar astronautë dhe paisje të tjera në hapësirë. Astronauti që ka udhëtuar katër herë me anije, Çarls Bolden, është drejtor i agjencisë amerikane të hapësirës.
Është emocionuese të mendosh se po i vjen fundit kohës së anijes së hapësirës, por është gjëja e drejtë për t’u bërë.”

Nasa po i jep fund programit të saj të hapësirës vitin e ardhshëm dhe po ndërmerr hapin tjetër drejt fluturimeve të anijeve pa pilot. Agjencia e hapësirës planifikon të shpenzojë miliarda dollarë për të nxitur zhvillimin e anijeve komerciale të fluturimit. Ajo do të investojë gjithashtu në teknologjinë e avancuar të nisjes së raketave. Por deri tani, përpjekjet për ndërtimin e një anije dhe rakete të së ardhmes kanë hasur në probleme teknike dhe shpenzime të mëdha. Pa anijen e hapësirës, Nasës do t’i duhet të shpenzojë qindra miliona dollarë për transport deri në Stacionin e Hapësirës me anijen ruse Sojuz.

Presidenti Obama i quan planet e tanishme të paqendrueshme dhe ka paraqitur vizionin e tij për të ardhmen e fluturimeve në hapësirë.
“Do të fillojmë me dërgimin e astronautëve tek një asteroid për herë të parë në histori. Deri nga mesi i viteve 2030 besoj se do të mund të dërgojmë njerëz në orbitën e Marsit dhe t’i kthejmë pa probleme në tokë, dhe pastaj ulja në Mars do të pasojë.”

Për të arritur fluturimet në Mars, administrata e presidentit Obama ka propozuar shkurtimet e fondeve për planet mbi dërgimin e astronautëve në hënë deri në vitin 2020. Propozimi përfshin shkurtime në programe të tjera të Nasës, që do të rezultojë në humbjen e vendeve të punës për mijëra punonjës të Nasës. Zoti Bolden thotë se ky ka qenë një vit i vështirë.
“Për njerëzit që po punojnë në këto programe kjo është si vdekja. Të gjithë e kuptojnë se duhet t’u japim kohë të mërziten dhe ta rimarrin veten.”

Nasa do tani të japë miliona dollarë për kompani private si Boeing për të prodhuar të ashtëquajturat ‘taksi të hapësirës’ që do të mund të t’i dërgojnë turistët në fluturime të shkurta në hapësirë deri në vitin 2015. Administratori i Nasës Bolden thotë se ndihma ndaj kompanive private për shërbime transporti është rruga e duhur që duhet të ndjekë agjencia.
“Industria komerciale e hapësirës do të jetë pjesë qenësore e Nasës. Ne do të ndryshojmë mënyrën si sigurojmë shërbimet që çojnë njerëzit në hapësirë. Nëse funksionon mirë, ka mundësi që njerëzit të shkojnë në hapësirë qoftë edhe për pak sekonda.”


“Nasa është në udhëkryq tani. Po merren vendime të mëdha që do të ndikojnë tek e ardhmja e saj jo për vite, por ndoshta për dekada me radhë.”
Mark Luis është profesor i inxhinierisë aeronautike në Universitetin e Merilendit. Ai thotë se plani i Nasës për t’u mbështetur plotësisht tek industria komerciale e hapësirës për transportimin e njerëzve dhe furnizimeve në orbitë mund të jetë në dizavantazh të agjencisë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të fillojmë të shohim mundësi të tjera që hapësira të shfrytëzohet edhe nga sektorë të tjerë komercial. Por është po ashtu e rëndësishme të mos humbim atë që kemi ndërtuar deri tani.”

Haurad Mekërdi, analist i hapësirës në Universitetin Amerikan, thotë se fondet e Nasës për raketat dhe anijet komerciale do t’i krijojnë mundësinë agjencisë të merret me zhvillimin e teknologjisë që nevojitet për eksplorime të thella të hapësirës.
“Ndryshimet më domethënëse që do të shohim do të jenë se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë për herë të parë në 35 vjet do të dalin nga orbita pranë tokës dhe të fillojnë eksplorimet në sistemin tonë diellor.”

Ndërkohë që Nasa harton kursin e ri për udhëtimet e hapësirës në të ardhmen, disa analistë ngrejnë pyetjen nëse do të mund të arrihen objektivat e saj afatgjata. Ata thonë se shumë varet nga fakti se kush do ta fitojë betejën buxhetore mes Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësve se sa duhet të investohet në industrinë komerciale të hapësirës, dhe sa duhet të harxhojë Nasa për misionet e saj në eksplorimin e hapësirës së thellë.

XS
SM
MD
LG