Lidhje

NASA financon propozimet për gjeneratën e ardhshme të eksplorimit të hapësirës

  • Rozanë Skërbëll

NASA financon propozimet për gjeneratën e ardhshme të eksplorimit të hapësirës

NASA financon propozimet për gjeneratën e ardhshme të eksplorimit të hapësirës

Agjencia amerikane e hapësirës NASA, ka një buxhet prej 3 milion dollarësh për 30 propozime që kanë të bëjnë me idetë e reja për programet e ardhshme programet amerikane të eksplorimit të hapsirës. Propozimet, të cilat kanë në dispozicion nga 100 mijë dollarë secila për të treguar nëse ia vlejnë ose jo, pasqyrojnë vizione largpamëse për projektimin e anijeve të reja të hapësirës, sistemet e reja shtytëse si dhe zgjerimin e pranisë së njeriut në hapësirë.

Programi i NASA-s, i quajtur “Konceptet e Avancuara”, ka pranuar qindra projekte. Drejtuesi ekzekutiv i programit Jay Falker thotë se ato përfaqësojnë thuajse çdo aspekt të misionit të Agjencisë.

“Duke i parë propozimet sheh se disa janë të lidhura me përpjekjet e njerëzve për të eksploruar hapësirën, disa janë të lidhura me përpjekjet e anijeve të hapësirës për të vepruar në mënyrë të sigurtë ose për të mbrojtur njerzit nga rrezatimi, disa prej propozimeve janë për përmirësimin e strukturave, etj”.

Propozimet vijnë nga fusha akademike, industria si dhe nga vetë NASA. Zoti Falker sjell një shembull, ku qendra e fluturimeve hapsinore Goddard do të ndërtojë një lloj “kapseje”optike, një pajisje me lazer e cila mund të përdoret në thellësi të hapësirës për të kapur mostra nga pjesëzat hapësinore:

“Në propozimin e paraqitur ata përmendin një lloj pajisjeje e cila mund të përdoret si në sondën e përdorur në Mars e në vend që të kemi një kapëse mekanike që mbledh gurë apo rërë nga marsi, do të përdorim një pajisje me lazer për t’a bërë këtë“.

Një koncept tjetër vjen nga organizata me bazë në Virxhinia, “Raytheon BBN”, e cila ka projektuar një pajisje që mund të veprojë si një pistoletë-me-ajër në lartësi të mëdha për t’i ndryshuar kursin e objekteve që enden në hapësirë, siç janë për shembull satelitët që nuk funksionojnë më.

Një propozim tjetër është ai për një kostum hapsinor me sensorë dhe një pajisje të veçantë e cila mund të krijojë stabilitet për astronautët në kushtet e mungesës së forcës së gravitetit, një sistem shtytës i cili mbështet tek velat gjigande për të kapur erën diellore, si dhe përdorimin e një stampuesi 3 dimensional për të projektuar anije hapsinore të vogla ose përbërës për një stacion hapsinor.

Shkencëtarët do të punojnë mbi këto ide gjatë vitit të ardhshëm, madje duke zhvilluar prova në pajisjet elektronike që kanë lidhje me projktet e tyre. Zoti Falker thotë se buxheti prej 3 milion dollarësh i caktuar për këto studime është jë pjesë shumë e vogël e buxhetit 18 miliardë dollarësh, të propozuar për NASA-n për vitin 2012. Dhe si i tillë shton ai, programmi ka shumë gjasa t’i shpëtojë shkurtimeve të mundshme buxhetore.

“Vendi dhe Kongresi e mbështesin NASA-n si një agjenci që duhet eksplorojë konceptet vizionare dhe mendoj se kjo shifër e vogël shpenzimesh ia vlen për një gjë të tillë. Dhe në se ndonjë prej këtyre eksperimenteve del me sukses, atëherë absolutisht ia vlen”.

Drejtori ekzekutiv i programit “Konceptet e Avancuara”, Jay Falker, thotë se në fund të vitit, shkencëtarët mund të kërkojnë fonde shtesë që t’u japin shtysë propozimeve të tyre, me shpresën që t’i integrojnë ato në misionet e ardhshme hapsinore.

XS
SM
MD
LG