Lidhje

NASA njofton zbulimin e 1235 planeteve të mundshme


NASA njofton zbulimin e 1235 planeteve të mundshme
NASA njofton zbulimin e 1235 planeteve të mundshme

Shkencëtarët e agjencisë hapësinore amerikane, NASA, kanë njoftuar për zbulimin të mesa duket planeteve të ngjashmdje me Tokën nga të dhënat e nxjerra së fundmi prej teleskopit Kepler të ndodhur në hapësirë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan, shkencëtarët thonë se këta trupa qiellorë janë në mesin e më shumë se 1 mijë e 200 planeteve të mundshme, që u zbuluan rishtazi nga misioni.

Hulumtuesit thonë se janë konfirmuar gjashtë planete të reja, por kryeshkencëtari i teleskopit Kepler, Uilliam Boruki, thotë se pritet të verifikohen deri në 80 përqind e trupave të zbuluar.

Para njoftimit të së mërkurës, numri i përgjithshëm i të ashtuquajturave ekzoplanete jashtë sistemit tonë diellor kalonte për pak shifrën 500. Zoti Boruki thotë se numri u rrit ndjeshëm në bazë të të dhënave të reja mbi një pjesë të vogël të qiellit që u ekzaminua nga misioni.

“Kepler vështron një të 400-tën e qiellit. Po të mund të shihnim 400 prej këtyre fushave, edhe numri i kandidatëve do të ishte 400 herë më i madh”.

Ai thotë se është i mahnitur për gjetjen e 68 planeteve që mendohet të kenë madhësinë e Tokës ose më të vogël dhe të 54 planeteve në zona të banueshme, ku temperaturat e moderuara mund të lejojnë ekzistencën e ujit në gjendje të lëngët.

Hulumtuesi Xhek Llisauër foli edhe për një zbulim tjetër që do të njoftohet të enjten në revistën shkencore Nature. Fjala është për një sistem planetar që rrotullohet rreth një ylli të quajtur Kepler 11.

“Kepler 11 është një sistem çuditërisht i rrafshtë dhe i ngjeshur, i përbërë nga gjashtë planete. Pesë planetet e brendshme janë veçanërisht afër njëri-tjetrit, çfarë nuk kemi menduar se mund të ndodhë për trupa të kësaj madhësie”.

Ai thotë se planetet janë më pak të dendura se toka dhe shumë të ngrohta për jetë, por se gjetja do t’i shtyjë shkencëtarët të rishqyrtojnë pikëpamjet e tyre rreth formimit të sistemeve planetare.

Astronomja nga Universiteti Jellë, Debra Fishër, thotë se astronomët amatorë në mbarë botën po ndihmojnë në analizimin e të dhënave të reja në një faqe interneti, PlanetHunters.org.

“Ata na dërgojnë të fala nga Turqia, Rusia, Polonia, Spanja, Ishujt Kanare, Italia, Brazili, Argjentina, Kili, e plot vende të tjera. Është mahnitëse”.

Shkencëtarët mbështesin përfundimet e tyre rreth ekzistencës së mundshme të planeteve pjesërisht në shuarjen periodike të yjeve, që sugjeron praninë e planeteve në orbitë ose të një sistemi binar të yjeve. Ata thonë se nevojiten vëzhgimet të gjera nga teleskopët në Tokë për të konfirmuar ekzistencën e planeteve.

Shumica e planeteve të shpallura dje duken të jenë më të mëdha se toka, sa Neptuni ose Jupiteri. Por zonja Fisher thotë se gjetjet tregojnë se sistemet me planete si i yni duken të jenë të zakonshme.

XS
SM
MD
LG