Lidhje

NASA lëshon teleskopin NuStar


Teleskopi NuStar do të marrë imazhet e vrimave të zeza dhe yjeve të shkatërruar

Agjencia Amerikane e Hapësirës nisi një teleskop në hapësirë më 13 qershor, i cili është ndërtuar për ndjekjen dhe studimin e vrimave të zeza. Shkencëtarët nuk kanë shumë njohuri mbi vrimat e zeza dhe besojnë se ato ndodhen në qendër të galaktikave masive, duke përfshirë Kashtën e Kumtrit. Le të ndjekim materialin për më shumë hollësi mbi misionin e teleskopit të NASAs, NuSTAR.

Tërheqja gravitacionale e vrimave të zeza është aq e fortë sa që as drita s’mund t’i shmanget atyre. Ndërkohë që gazi, pluhuri dhe yjet thithen brenda tyre, materialet përshpejtojnë ngrohjen, duke lëshuar dritë të fuqishme të rrezeve X.

Tani NASA ka lëshuar teleskopin më të ri të quajtur NuSTAR, i cili do t’i studiojë vrimat e zeza.

Paul Hertz është drejtor i divizionit të astrofizikës në NASA:

“Yjet, vrimat e zeza dhe retë e pluhurit yjor çlirojnë rreze X të llojit që ne përdorim në mjekësi, dhe këto nuk mund të vërehen nga sipërfaqja e Tokës. Por teleskopi NuSTAR do të përqëndrohet te rrezet X përmes aparatit të tij fotografik dixhital dhe do t’i dërgojë fotografitë në tokë për analiza shkencore”.

Shkencëtarët presin që rreth një muaj pas nisjes së teleskopit NuSTAR të fillojnë të marrin të dhëna shkencore.

Ato do të studiohen nga njerëzit në mbarë botën, duke përfshirë edhe drejtuesen e programit NuSTAR, Fiona Harrison.

“NuSTAR do të hapë një dritare të re në hapësirë, pasi është teleskopi i parë që do të përqendrohet në rrezet X të cilat kanë nivele të larta të energjisë. Prandaj, ai do të marri imazhe që janë 10 herë më të qarta dhe 100 herë më të ndjeshme se çdo teleskop që ka operuar në këtë fushë”.

Ky imazh tregon shkëlqimin e qindra vrimave të zeza masive në hapësirë. NASA thotë se kjo është gjëja më e mirë që teleskopët e tanishëm mund të ofrojnë. Ky simulim tregon se çfarë pret NASA nga teleskopi NuSTAR kur ai do të fluturojë në qiejtë pranë galaktikave.

Rreth një javë pas nisjes së tij, antena 10 metërshe e teleskopit do të aktivizohet, duke ndarë pasqyrat nga detektorët. Kjo distancë është e nevojshme për t’u përqëndruar në rrezet X dhe për të krijuar imazhe të cilësisë së lartë.

Teleskopi do të jetë në gjendje t’i gjejë vrimat e zeza të fshehura prapa mjegullave të pluhurit dhe gazit. Ai gjithashtu do të jetë në gjendje të tregojë shpejtësinë e rrotullimit të një vrime të zezë, e cila do të ndihmojë shkencëtarët të mësojnë se si formohen vrimat e zeza.

“Ashtu si në të gjitha misionet e NASAs, ne do të gjejmë gjëra të papritura që do të ngrejnë pyetje dhe përgjigje që ne nuk i kemi parashikuar në këtë kohë”.

Shkencëtarët e NASA-s thonë se një nga qëllimet e teleskopit NuSTAR është regjistrimi i numrit të yjeve të shkatërruara dhe vrimave të zeza në hapësirë.
XS
SM
MD
LG