Lidhje

NASA përgatitet për lëshimin e fundit të anijeve Shuttle


NASA përgatitet për lëshimin e fundit të anijeve Shuttle
NASA përgatitet për lëshimin e fundit të anijeve Shuttle

Astronautët të cilët përbëjnë ekuipazhin e anijes Atlantis të hapësirës kanë ardhur në Qendrën Kennedy të NASA-s në Florida dhe po ashtu shumë turistë të etur për të dëshmuar lëshimin e fundit historik të një anijeje Shuttle. Atlantis do të lëshohet për herë të fundit në hapësirë më 8 korrik.

"Sa larg është vendi i lëshimit?"

Kjo është një pyetje e zakonshme për turistët në këtë pjesë të Floridës ku ndodhet Qendra Kennedy e Hapësirës.

Nga bluzat suvenire dhe muret e restoranteve fast-food e deri tek parqet me emra që të kujtojnë programin e hapësirës, qyteti Titusville dhe zona përreth e meritojnë të quhen Bregu i Hapësirës.

Lëshimet e anijeve të hapësirës janë pa dyshim një magnet për njerëzit.

Më shumë se gjysmë milioni vizitorë pritet të vijnë këtu për të parë lëshimin e fundit. Çdo park, parking apo urë do të jetë e mbushur me njerëz që do të përpiqen të shikojnë nisjen.

Pas kësaj, NASA do t’u japë fund lëshimeve të këtyre anijeve, kështu që vizitorët janë të etur për të dëshmuar historinë.

"Jam mësuese kopshti në Ohajo. Ne e pamë lëshimin e parafundit në televizion me klasën dhe kjo më frymëzoi të vij vetë këtu për ta parë nisjen e fundit bashkë me dy djemtë e mij adoleshentë", thotë një turiste.

Për familjen Ljuis, zgjedhja e vendit të shikimit ishte e lehtë.

"Në fakt, ne kemi njerëz të afërt që jetojnë këtu pranë, kështu që do të kemi një pamje të shkëlqyer", thotë Xheraldin Ljuis.

Por familja Bermúdez, me origjinë nga Spanja që tani jeton në Ajova, do ta ketë të vështirë të gjejë një vend të mirë për të parë këtë ngjarje që shënon fundin e një epoke.

Ata bënë rezervime tri javë më parë në një kamping, por për natën përpara lëshimit vendet ishin zënë me kohë. Megjithatë, ata janë optimistë se do të gjejnë një vend për të parë nisjen e 135-të dhe të fundit të një anijeje Shuttle.

"Unë nuk dua t’ja di edhe nëse gjej vend në mes të urës ose në ndonjë rrugë të vogël. Natyrisht, ky është një shans i madh për tre fëmijët e mij. Unë dua që ata të jenë në gjendje të thonë në të ardhmen: “Ja, e pashë me sytë e mij lëshimin e anijes", thotë Marko.

Kjo i ka bërë njerëzit të zenë vend në parcelat e tokës përgjatë ujit, të gatshëm të paguajnë 40 për makinë, mjafton të jetë vend me një pamje.

"Jam i sigurt se duke ardhur këtu një milion njerëz, ata do të bllokohen në autostradë ose diku tjetër në qoftë se nuk marrim masa”, thotë Bob Kërk, operator i zonës së pamjes.

Astronautët që përbëjnë ekuipazhin e fundit erdhën në Qendrën Kennedy më 4 korrik.

"Është kënaqësi të vish këtu dhe të shikosh gati për nisje raketën ku ndodhen sendet e tua", tha Astronauti Reks Uollhajm.

Turistët janë po aq entusiastë.

"E pabesueshme. Ndjej të njëjtën gjë që ndjen edhe fëmija im. 30 vjet më parë kur filloi ky program, unë isha fëmijë, 10 ose 11 vjeç, kështu që për mua, kjo është një lloj dëshire", thotë turisti Marko.

NASA pret tani një lëshim të fundit për ta bërë këtë dëshirë një realitet.

XS
SM
MD
LG