Lidhje

Nacionalisti Tomislav Nikoliç fiton zgjedhjet presidenciale në Serbi


Zgjedhjet presidenciale në Serbi, nxorën fitues kandidatin e Partisë Përparimtare serbe, Tomislav Nikolic. I njohur si përfaqësues i frymës nacionaliste në Serbi, ai fitoi përballë presidentit të deritashëm Boris Tadic, që njihej si përfaqësues i forcave properëndimore. Pak pas shpalljes së fitores, Tomislav Nikolic tha se Serbia nuk do të largohet nga rruga e saj evropiane dhe njëkohësisht dëshiron të mbrojë popullin e saj në Kosovë.

Kryetari i Partisë Përparimtare serbe, Tomislav Nikolic, është zgjedhur president i Serbisë. Në përballjen e tretë me radhë pas vitit 2000, ai fitoi kundër presidentit të deritashëm, Boris Tadic, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Duke shpallur fitoren e tij ai ritheksoi politikën e tij edhe Evropa edhe Kosova.

Serbia nuk do të largohet nga rruga evropiane. Serbia dëshiron të mbrojë popullin e saj në Kosovë”, tha ai, duke nënvizuar se “këto zgjedhje nuk ishin referendum se kush do të çojë Serbinë në Bashkimin Evropian apo kush nuk do, por këtu janë zgjidhur problemet që janë krijuar nga Partia Demokratike dhe Boris Tadici”.

Ndërsa, presidenti i deritashëm, pranoi humbjen dhe shpalli se nuk synon të marrë postin e kryeministrit të Serbisë.

E përgëzoj zotin Nikolic për fitoren korrekte dhe të merituar dhe i uroj fat në detyrën e re”, tha ish presidenti Tadic, partia e të cilit kishte arritur një marrëveshje me Partinë Socialiste të Serbisë për të krijuar qeverinë e re pas zgjedhjeve parlamentare të 6 majit.

Kryetari i socialistëve serb, Ivica Dacic, deklaroi mbrëmë se nuk pret të ketë ndryshim në këtë marrëveshje me gjithë fitoren e kandidatit të Partisë Përparimtare serbe. Analistët në Serbi ndërkaq nuk përjashtojnë mundësinë që Partia e presidentit të ri, i njohur për qëndrime më radikale, të krijojë një koalicion të gjerë me Partinë Demokratike të presidentit të deritashëm Boris Tadic, që vlerësohej si drejtues i forcave properëndimore në Serbi.

Fitorja e Tomislav Nikolicit, është kremtuar edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Një pjesë e përfaqësuesve politikë të serbëve në veri, fajësojnë pushtetin e deritashëm në Serbi por mosangazhim në sic thuhet mbrojtjen e popullatës serbe.

Zgjedhjet presidenciale të Serbisë u mbajtën edhe në Kosovë nën përkujdesjen e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë. Përfshirja e kësaj organizate në organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, ishte kërkuar nga institucionet e Kosovës, për të mundësuar votimin e qytetarëve serb në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës. Mekanizmat vendas e ndërkombëtarë të sigurisë thanë se votimet në Kosovë kaluan pa ndonjë problem.

Nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm të Prishtinës pas rezultateve të zgjedhjeve presidencialë në Serbi, por që më parë autoritetet kishin theksuar se nuk presin ndonjë ndryshim në qasjen e Serbisë ndaj Kosovës pavarësisht se cili do të jetë fituesi i zgjedhjeve në Serbi.

Të dy kandidatët ndërkaq kishin shfaqur pak dallime sa i përket çështjes së Kosovës. Të dy mbronin politikën edhe Evropa edhe Kosova, me gjithë faktin se Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se nuk mund të pranojë anëtarësimin e vendeve që kanë probleme të pazgjidhura me fqinjët. Serbia mori këtë vit statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjeve me Prishtinën, përfshirë edhe atë për përfaqësimin rajonal të Kosovës.

XS
SM
MD
LG