Lidhje

Freedom House: Demokracia në Ballkan bie në nivelin e 2004

  • Keida Kostreci

Raporti i Freedom House për Vendet në Tranzicion, arrin në përfundimin se Ballkani, që dikur ishte një rajon që ngjallte shumë shpresa për reforma në Evropë, ka rënë në nivelin e vitit 2004. Dilema për këtë rajon është sesi të nxiten reformat dhe njëkohësisht të mbahet gjallë shpresa për integrim në BE. Sipas raportit që merr në shqyrtim 29 vende të Ballkanit, Euroazisë dhe Azisë Qendrore, tema e përgjithshme është stanjacioni dhe kjo falë prirjeve autoritare të udhëheqësve, rivalitetit politik, korrupsionit dhe strukturave jo-funksionale institucionale.

Shqipëria, gjendje e pandryshuar nga një vit më parë

Në një sistem vlerësimi ku 1 eshte niveli më i lartë i demokracisë dhe 7 me i ulëti, Shqipëria vazhdon të konsiderohet një qeveri tranzicioni ose regjim hybrid.

Si vlerësim pikësh Shqipëria ka 4.14, njëlloj si vitin e kaluar. Kjo i atribuohet një përmirësimi në sistemin zgjedhor dhe një rënieje në kategorinë e medias të pavarur.

Në Shqipëri sheh ato prirje që sheh në shumë vende të tjera, jo vetëm në Ballkan por në gjithë rajonin, thotë Drejtori i Projektit “Vendet në Tranzicion”, Nate Schenkkan.

“Bëhet fjalë për një rivalitet politik shumë të ashpër dhe intensive mes palëve, që ndonjëherë i kapërcen kufijtë e një konkurrence normale, jashtë rregullave të konkurrencës në demokraci dhe kjo mund ta largojë vëmendjen nga reformat institucionale dhe nga përmirësimi i sistemit të drejtësisë, si të çrrënjosim korrupsionin, apo ekonominë informale”.

Zoti Schenkkan thotë se lufta politike ka shkaktuar shpërqendrim dhe në shumë vende të rajonit kur arrihet në një pikë të skajshme konflikti, politika saboton shanset “për të çuar përpara reformat për të cilat ka nevojë gjithë shoqëria”.

Stanjacioni në Shqipëri, thotë zoti Schenkkan, mund të jetë më shumë pasojë e korrupsionit që ka depërtuar thellë.

“Korrupsioni në Shqipëri është pa diskutim treguesi më negativ në bazë të matjeve që bëjmë ne në 7 drejtime të ndryshme. Kjo vlen për porthuajse të gjitha vendet e rajonit dhe është fakt që lufta më e vështirë për vendet e rajonit, është ajo kundër korrupsionit”.

Megjithëse kapitulli i raportit për Shqipërinë, nuk është ende përfundimtar dhe për këtë arsye nuk është publikuar apo ndarë me median, zoti Schenkkan thotë se në 2015, pati miratim të një sërë reformash dhe ligjesh dhe angazhime për miratim reformash, si ajo për drejtësinë.

Po ai thotë se për vitin 2016, 2017 e më tej, pyetja është nëse këto reforma do të zbatohen. Ai sqaron se Freedom House është e kujdesshme kur bën vlerësimin e saj, qoftë negativ apo pozitiv, dhe nuk mbështetet thjesht tek miratimi i ligjeve.

“Ne duam të shohim nëse ato do të zbatohen, çfarë ndodh në terren dhe mendoj se me Shqipërinë jemi në këtë pikë. Ka pasur shumë miratime, si decentralizimi, reforma territoriale, por tani duam të shohim nëse po zbatohen ose jo dhe nëse zbatohen, sa efektive do të jenë dhe kjo do ta përcaktojë nëse vlerësimi për Shqipërinë do të përmirësohet”.

Por gjithsesi ashtu si edhe vende të tjera të Ballkanit, Shqipëria është në të njëjtin nivel ku ishte në vitin 2004.

Kosova: Hendek mes politikave të qeverisë dhe asaj që do publiku

Kosova ka shënuar një përparim të lehtë nga 5.14 në 5.07, falë përmirësimeve në median e pabarur dhe qeverisjen lokale. Megjithatë vendi vazhdon të jetë mes regjimeve autoritare gjysmë të konsoliduara. Në raport thuhet se ritmi i konsolidimit demokratik ishte i ngadaltë për vitin 2015.

Drejtori i Projektit, Nate Schenkkan beson se ka një hendek mes asaj që do popullata ose që mendon se duhet të marrë përmes shtetformimit dhe marrëdhënies me Evropën dhe perëndimin dhe asaj që po merr në fakt.

“Kjo qeveri ka një shumicë të gjerë në parlament e megjithatë politikat që po ndjek duket se nuk janë aspak popullore, jo vetëm me një opozitë mjaft radikale si Vetëvendosja por jo popullore në masë të gjerë me popullsinë dhe kjo është problematike në një demokraci, që një shumicë e gjerë parlamentare miraton ndryshime para se popullata të dojë që ato të bëhen”.

Zoti Schenkkan thekson se kjo nuk do të thotë që ndryshimet janë të gabuara, apo që politikat janë të gabuara, por se mënyra se si i ka paraqitur qeveria nuk ka qenë efektive.

Në raport përshkruhet një dinamikë ku shumica që u krijua pas zgjedhjeve kishte një përqindje mbështetjeje të ulët dhe ndoqi një program legjislativ të debatueshëm dhe opozita përdori mjete jashtë instrumentave politike deri në përdorimin e gazit lotsjellës në parlament.

Pakënaqësia sipas zotit Schenkkan ka edhe arsye të tjera.

“Këtë do ta lidhja edhe me padurimin që populli i Kosovës ndjen për integrimin në Bashkimin Evropian, pamundësinë për të patur liberalizimin e vizave dhe me ndjesinë se Serbia po përfiton më shumë nga dialogu sesa Kosova, përsa i takon objektivave kombëtare, prandaj është problem jo vetëm për Kosovën por edhe për komunitetin ndërkombëtar që e ka mbështetur Kosovën fuqishëm”.

Ai thotë se është një problem i vërtetë që popullsia nuk mendon se po merr atë që meriton nga marrëveshja me Serbinë dhe qeveria duhet ta kishte sqaruar më mire situatën.

Përsa i takon prirjeve të demokracisë në raport theksohet fakti i mbizotërimit të udhëheqësve të pasfiduar në grupime të ndryshme politike. Po ashtu korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur megjithë disa përmirësime të lehta në gjyqësor.

Raporti nuk përfshin ngjarjet e vitit 2016 dhe rrjedhimisht vetëm parashikon që zoti Hashim Thaçi do të zgjidhej në postin e presidentit siç edhe ndodhi, por thotë se opozita si edhe një pjesë e mire e elitës së shoqërisë, përfshirë median dhe shoqërinë civile ishin kundër zgjedhjes së tij, për shkak të korrupsionit në radhët e anëtarëve të partisë së tij. Po ashtu parashikohet që tensionet politike do të vazhdojnë t’i lënë të anashkaluara zhvillimet e tjera lidhur me politikat, dialogu me Serbinë mund të ngecet, ashtu si edhe ecuria e legjislacionit zgjedhor.

Maqedonia, vendi me rënien më të madhe

Maqedonia kishte rënien më të madhe mes 29 vendeve të analizuara nga Freedom House për raportin “Vendet në Tranzicion” për këtë vit, në një krizë politike që në raport thuhet se ishte më e rënda që nga viti 2001. Nga shtatë kategoritë që analizon Freedom House, Maqedonia pati përkeqësim në gjashtë prej tyre, me një vlerësim mesatar që nga 4.07 vitin e kaluar, ra në 4.29.

Kjo ndodhi për shkak të përgjimeve që nxorri Bashkimi Social-Demokrat që nxirrnin në pah përfshirjen direkte të zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe të partisë në pushtet në korrupsion dhe aktivitete kriminale, që zoti Schenkkan tha se prekte pothuajse të gjitha kategoritë. Kriza vazhdon edhe sot tha ai duke iu referuar deklarimeve të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet që pritet të mbahen në qershor.

“Nuk na takon ne të themi a është vendimi i duhur, por duket se do të zgjasë krizën politike dhe është e vështirë ta imagjinosh sesi mund të zgjidhet kjo krizë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu është e vështirë të imagjonohet se si mund të kthehet Maqedonia në një trajektore pozitive, përsa i takon demokratizimit pa reforma thelbësore që u parashikuan nga marrëveshja e verës së kaluar”.

Të gjithë këta faktorë thuhet në raport, do të përcaktojnë rrugën që do të marri vendi përsa i takon qeverisjes demokratike në vazhdim të vitit 2016.

Prirjet e Ballkanit

Sipas Freedom House, gjendja në vendet individuale është pjesë e kontekstit më të gjerë të Ballkanit. Rajoni ka në një kthim në nivelin ku ishte në në vitin 2004. Drejtori i projektit Vendet në Tranzicion, Schenkkan thotë se ka dy dinamika që ndërthuren

“Një lloj ngecjeje në përparimin politik, pavarësisht nga fakti se janë hapur proceset për anëtarësim në Bashkimin Evropian për një numër vendesh, dhe këto vende po diskutojnë kapituj të ndryshëm. Megjithatë ka një numërim në vend përsa i takon zhvillimin institucional dhe veçanërisht në luftën kundër korrupsionit”.

Dhe nga ana tjetër, thotë ai, ka një lodhje në Bashkimin Evropian përsa i takon zgjerimit.

“Si pjesa e fundit e kontinentit që nuk është integruar, Ballkani Perëndimor është veçanërisht i ekspozuar ndaj kësaj prirjeje. Pyetja se cilat janë ambicjet nga ana e Bashkimit Evropian dhe cili do të jetë niveli i mbështetjes për integrimin në Evropë, është një shqetësim real për vitet e ardhshme”.

Ngecja në shkallë rajoni u atribuohet faktorëve të ndryshëm në vende të ndryshme. Përsa i takon Serbisë dhe Malit të Zi për shembull, si edhe Maqedonisë deri këtë vit, zoti Shankken thotë se udhëheqës autoritarë kanë marrë një kontroll pothuajse të pasfiduar të institucioneve shtetërore, gjë që është shumë pranë monopolizimit të shtetit.

“Në Kosovë dhe Bosnje kemi ende në thelb struktura shtetërore jofunksionale që u ngritën pas luftës në ato vende dhe këto struktura nuk janë zgjidhur, struktura e dale nga Dejtoni në Bosnje dhe në Kosovë ka një hendek mes preferencave të publikut dhe asaj që qeveria do të bëjë me politikat e saj”.

Sipas Freedom House këto zhvillime të brendshme tani rrezikojnë të ndërlikohen nga mbyllja e kufijve evropianë për të mos lejuar eimgrantët që të arrijnë në vendet e BE-së përmes rrugës së Ballkanit.

Por zoti Schenkkan thotë se kriza e imigracionit nuk duhet të bëhet një justifikim për të izoluar Ballkanin nga pjesa tjetër e Evropës.

“Me një papunësi mes të rinjve mbi 50 për qind në pjesën më të madhe të rajonit, kthimi i Ballkanit në një ishull brenda Evropës do të ishte katastrofik për zhvillimin e rajonit. BE-ja nuk duhet të favorizojë stabilitetin e përkohshëm përballë reformave afatgjata në Ballkan”, shprehet ai në raport.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG