Lidhje

Freedom House për Shqipërinë

  • Keida Kostreci

Raporti Vendet në Tranzicion thotë se ka rënie në procesin zgjedhor dhe sistemin e drejtësisë, ndërsa zërat e tjerë nuk kanë ndryshim

Gjatë vitit të kaluar, reformat me rëndësi kritike kanë ngecur ngecën në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Kroacisë. Ky është përfudnimi ku arrin organizata prestigjioze Freedom House në raportin e bërë publik sot Vendet në Tranzicion 2012.

Raporti merr në shqyrtim zhvillimet në 29 vende ish-komuniste të Evropës dhe Euroazisë. Sipas organizatës Freedom House, gjatë vitit 2011, Shqipëria, Bosnja, Kosova dhe Maqedonia pësuan rënie në fushat e procesit zgjedhor, qeverisjes demokratike, kuadrit juridik dhe shtypit të pavarur.

Zgjedhjet me të meta në Shqipëri dhe Kosovë, nxorrën në pah brishtësinë e reformës zgjedhore në kushtet e mungesës së pavarësisë së gjyqësorit.



Sipas organizatës Freedom House, gjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka pësuar rënie në procesin elektoral dhe në kuadrin juridik. Në kategoritë e tjera që vlerëson raporti si shoqëria civile, qeverisja kombëtare, pushteti vendor, korrupsioni dhe shtypi i pavarur, vlerësimi mbetet i njejtë me atë të vitit 2010. Sipas Freedom House, mungesa e marrëveshjes mes forcave kryesore politike për reforma thelbësore e ka paralizuar vazhdimisht politikën dhe ka vonuar përparimin drejt integrimit Euro-Atlantik, megjithëse ky objektiv pranohet si e vetmja alternativë për zhvillimin e mëtejshëm demokratik të vendit.

Pamundësia e Shqipërisë për të plotësuar standardet ndërkombëtare për zgjedhjet lokale të majit, sipas Freedom House, ka shkaktuar rënie në vlerësimin për vitin 2011 duke shkuar nga 4.00 në 4.25. Sipas Freedom House, zgjedhjet e majit ishin një prej faktorëve kryesorë që Shqipërisë iu kundërshtua kërkesa për statusin e vendit kandidat.

Raporti i vlerëson zhvillimet demokratike përmes një sistemi pikësh nga 1 në 7. Ku pika 1 përfaqëson nivelin më të mirë të, ndërsa 7 përfaqëson shkallën më të ulët.

Në raport thuhet se zgjedhjet lokale të majit 2011, ishin përsëri me të meta për shkak të parregullsive. Duke folur për betejën politike që pasoi këto zgjedhje dhe veprimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas së cilave Lulzim Basha u shpall fitues i Bashkisë së Tiranës, Freedom House thotë se Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian shprehën shqetësime për debatet dhe polarizimin që rezultoi nga veprimet e KQZ-së, veçanërisht hedhjen poshtë të apelit të opozitës.

Përsa i takon sistemit të drejtësisë dhe pavarësisë së gjyqësorit, Shqipëria ishte një nga tre vendet e studiuara, me rënien më të madhe krahasuar me vitin e kaluar, nga 4.25 në 4.75. Kjo rënie u ndikua vrasja e parë e një gjykatësi në Shqipëri, Skerdilajd Konomit më 9 shtator të vitit të kaluar si dhe nga presioni dhe akuzat publike të degës ekzekutive kundër prokurorisë.

“Ndërhyrja politike, paqëndrueshmëria financiare, ngecja e reformave ligjore dhe korrupsioni kanë paraqitur një sfidë për institucionet e drejtësisë në Shqipëri”, thuhet në raport. Po ashtu përmendet fakti që 15 gjykatës, një numër rekord, u vendosën gjatë 2011 nën mbrojtjen e policisë.

Sipas Freedom House, korrupsioni mbetet një nga problemet më serioze për zhvillimin demokratik në Shqipëri. Në këtë kategori, Shqipëria vlerësohet me shifrën 5, vlerësimi më negative nga të gjithë treguesit. Ky vlerësim ka mbetur i pandryshuar që nga viti 2007. Në raportin e sivjetshëm thuhet se megjithëse disa përpjekje për të luftuar korrupsionin në nivele të ulëta dhe të mesme, korrupsioni i shkallës së lartë mbetet pothuajse i paprekur. Raporti po ashtu ve në dukje se qeveria ka bërë një farë përparimi për hartimin dhe zbatimin e politikave për të luftuar korrupsionin, me miratimin e planit të ri antikorrupsion për periudhën 2011-2013.

Rritja e ndërhyrjes politike në institucione, imuniteti ligjor për një gamë të gjerë zyrtarësh, mungesa e transparencës në qasjen ndaj informacionit dhe mekanizmat e pamjaftueshme të vetërregulluara, ndërlikuan përpjekjet për të përmirësuar gjendjen lidhur me korrupsionin vitin e kaluar. Po ashtu në raport përmendet fakti që Zv/kryeministri Ilir Meta u detyrua të jepte dorëheqjen pas videos ku ai shfaqej duke kërkuar favore të paligjshme nga ministri Dritan Prifti. (gjykata e shpalli zotin Meta të pafajshëm në janar 2012, por raporti nuk përmbledh ngjarjet e vitit 2012, shen. i red.)

Përsa i përket qeverisjes në nivel kombëtar, Shqipëria vlerësohet me 4.75 pikë, njësoj si në vitin 2010. Mungesa e përparimit, sipas Freedom House ka ardhur nga vazhdimi i krizës politike, që çoi në dhunë dhe viktima. Duke iu referuar ngjarjeve te 21 janarit, raporti thotë se konflikti i ashpër politik u përshkallëzua në demonstrata në rrugë, që shkaktoi viktima.

Shqipëria, thekson, Freedom House, nuk mori masat e duhura për të realizuar 12 prioritetet e identifikuara nga Komisioni Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Si pasojë, kërkesa e Shqipërisë për statusin e kandidatit në BE, u hodh poshtë për herë të dytë në tetor 2011. Por në fund të vitit të kaluar, thekson raporti, shumica dhe opozita i zbutën mosmarrëveshjet dhe ranë dakord të punojnë së bashku për reformat e nevojshme.

Lidhur me shoqërinë civile, në raport thuhet se ajo është e dobët, megjithatë aktorët e saj janë bërë më aktivë duke kërkuar më shumë përfshirje në procesin e konsultimit dhe duke sfiduar politikat e qeverisë.

Freedom House thotë se prirja në rritje e aktivistëve të shoqërisë civile për të kandiduar në emër të forcave apo koalicioneve politike, e ngushton edhe më shumë ndarjen mes angazhimit civil dhe atij politik, megjithatë kandidimi për poste politike ende shihet si e vetmja mënyrë për të ndikuar në politikën shqiptare. Vlerësimi për shoqërinë civile në Shqipëri mbetet i pandryshuar, në nivelin 3.00.

Përsa i takon medias, në raport thuhet se liria e shprehjes në përgjithësi respektohet në Shqipëri, megjithëse përparimi në rritjen e pavarësisë dhe profesionalizmit ka ngecur. Reklamat e financuara nga qeveria gjithnjë e më shumë u monopolizua nga media të zgjedhura proqeveritare. Gazetaria investigative vazhdon të jetë e pazhvilluar. Vlerësimi për median në Shqipëri ka mbetur i pandryshuar, në nivelin 4:00.

Përsa i takon qeverisjes lokale, raporti thotë se procesi i decentralizimit ka lëvizur ngadalë dhe varësia financiare tek qeveria qendrore mbetet i lartë. Vlerësimi për qeverisjen lokale mbeti i pandryshuar në nivelin 3.25.

Si përfundim, Freedom House thotë se në këtë vit të 100 vjetorit të pavarësisë, do të jetë thelbësore që të zgjidhen krizat politike dhe institucionale para se të fillojnë përgatitjet për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, në mënyrë që të krijohet një mjedis i përshtatshëm për votimet.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG