Lidhje

Freedom House për Kosovën

  • Keida Kostreci

Raporti Nations in Transit thotë se ka pasur rënie në procesin zgjedhor dhe përmirësim në qeverisje lokale dhe drejtësi

Gjatë vitit të kaluar, reformat me rëndësi kritike kanë ngecur ngecën në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Kroacisë. Ky është përfundimi ku arrin organizata prestigjioze Freedom House në raportin e bërë publik sot Vendet në Tranzicion 2012. Sipas organizatës gjatë vitit 2011, Shqipëria, Bosnja, Kosova dhe Maqedonia pësuan rënie në fushat e procesit zgjedhor, qeverisjes demokratike, kuadrit juridik dhe shtypit të pavarur.

Në Kosovë rënia më e madhe dhe e vetme ka qenë në kategorinë e procesit zgjedhor, ndërsa ka pasur përmirësime përsa i takon qeverisjes lokale dhe kuadrit juridik dhe pavarësisë së gjyqësorit. Por gjendja mbetet shqetësuese, sepse shifrat për kategoritë e ndryshme janë më pranë 7, duke pasur parasysh mënyrën e vlerësimit ku numri 1 tregon nivelin më të lartë të përparimit demokratik.

Raporti përmend ngjarjen e korrikut në Veri ku marrja e masave për reciprocitetin tregëtar nga qeveria e Kosovës, u pasua me protestat e banorëve që në disa raste u bënë të dhunshme.



Vendimi i Komisionit Evropian për të filluar dialogun për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës ishte një hap pozitiv, ashtu si edhe regjistrimi i parë i popullsisë që prej 30 vjetësh, një çështje delikate për shkak të trashëgimisë së spastrimit etnik. 13 vende të reja e njohën Kosovën gjatë vitit 2011.

Vlerësimi për shkallën e demokracisë në qeverisjen në shkallë vendi mbeti i pandryshuar në nivelin 5.75. Formimi i qeverisë pas zgjedhjeve problematike të kritikuara nga faktorët e brendshëm dhe ndërkombëtarë sollën si rezultat vënien në pikëpyetje të besueshmërisë së parlamentit dhe qeverisë gjatë vitit 2011, thotë Freedom House.

Po ashtu qeveria shkeli një marrëveshje të rëndësishme me FMN-në dhe vazhdoi me privatizimin e sektorit më të madh publik pa një strategji të miratuar nga parlamenti. Përpjekjet e Kosovës drejt integrimit të Bashkimit Evropian u cilësuan si pozitive ashtu si edhe rezultatet e dialogut me Serbinë, megjithëse raporti thekson se të dy vendet nuk gjetën një mekanizëm efektiv zbatimi për marrëveshjet e arritura Problemet e mëdha me manipulimet dhe parregullsitë në zgjedhjet parlamentare dhe fakti se komsionerët e zgjedhjeve që kishin kryer mashtrime zgjedhore nuk u ndoqën penalisht, krijuan perceptimin e padënueshmërisë. Raporti përmend zgjedhjen e Behgjet Pacollit në postin e presidentit dhe zhvlerësimin e vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Për shkak të provave të qarta që autoritetet dështuan në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, vlerësimi për procesin zgjedhor u ul duke shkuar nga 4:50 në 5 pikë.

Megjithëse liria e grumbullimit u respektua, për shkak të presionit të vazhdueshëm financiar dhe politik ndaj organizatave të shoqërisë civile dhe aftësisë së kufizuar të për të ushtruar mbikqyrje të proceseve të ndërtimit të shtetit, vlerësimi për shoqërinë civile mbetet i pandryshuar, 3.75.

Sipas freedom House, qeveria e përmirësoi kuadrin legjislativ për median, por në disa raste nuk e zbatoi. Gazetarët u përballën me presion politik gjatë gjithë vitit dhe shpifja mbeti krim. Vlerësimi për median mbeti i pandryshuar në nivelin 5:75.

Procesi i decentralizimit që filloi në vitin 2008, vazhdoi të jepte rezultate në vitin 2011. Përveçse në zonën e banuar me shumicë serbe në Veri të Ibrit, komunitetet e tjera me shumicë serbe e rritën funksionimin mbështetur në kuadrin kushtetues së Kosovës. Komunat përmirësuan kushtet për integrimin e të kthyerve. Autonomia e qeverisjes lokale u përmirësua dhe ndryshimet e ndryshuan vlerësiminm, duke e bërë më pozitiv nga 5:00 në 4:75.

Sistemi i gjykatave vazhdoi të vuante nga dobësitë strukturore dhe autonomia e sistemit juridik mbeti e brishtë. Qeveria hartoi ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe Gjykata Kushtetuese dha prova për pavarësinë në dy gjykime kyçe, si edhe pati përparim modest në ndjekjen penale të krimeve të luftës. Falë këtyre përmirësimeve, vlerësimi në krahasim me një vit më parë shkoi nga 5:75 në 5:50.

Në raport thuhet se si edhe në vitet e mëparshme, privatizimet, tenderat publike dhe menaxhimi i ndërmarrjeve shtetërore krijuan mundësi të shumta për korrupsion. Vazhdojnë mosmpërputhjet mes aseteve të deklaruara të zyrtarëve dhe fitimeve që ata raportojnë. Një zhvillim pozitiv ishte ngritja e grupit të punës antikorrupsion. Vlerësimi për nivelin e korrupsionit mbeti i pandryshuar në nivelin 5:75.
XS
SM
MD
LG