Lidhje

Takim i përbashkët NATO – BE


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian thotë se NATO dhe BE do të shqyrtojnë bashkëpunimin për krizat e ndryshme, përfshirë situatën në Ukrainë dhe tensionet me Rusinë, si dhe çështjen e emigrantëve.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini mori pjesë sot në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s për të diskutuar krizën në Ukrainë, si dhe një propozim të Bashkimit Evropian për krijimin e një misioni ushtarak për të kapur dhe shkatërruar varkat e trafikantëve që përdoren për të sjellë ilegalisht emigrantë nga Libia nëpërmjet ujrave të rrezikshme të Mesdheut.

"Vlerësojmë këtë bashkëpunim të ngushtë nga të dyja palët si shumë të dobishëm. Së pari, pasi kemi të njëjtat sfida që na bashkojnë. Jemi sigurisht të ndryshëm në përqajset ndaj krizave, por ndajmë të njëjtat vlera dhe shqetësime në këto kohëra krizash.”

NATO dhe BE kanë diskutuar për mënyrat e bashkëpunimit për të shkëmbyer informacion më të saktë për zbulimin e anijeve të trafikantëve dhe për zbatimin e marrëveshjes së Minskut.

Të shqetësuar prej më se një viti nga kriza në Ukrainë, takimi në Turqi i ministrave të jashtëm të NATO-s po përqëndrohet edhe në mungesën e stabilitetit në pjesën jugore, përfshi Shtetin Islamik në Irak dhe Siri, si dhe trazirat në Libi.

Sipas kreut të NATO-s, Jens Stoltenberg, Aleanca po përforcohet si kurrë më parë që nga periudha e Luftës së Ftohtë, dhe do të vazhdojë të mbrojë secilin vend anëtar nga çdo lloj rreziku.

Megjithëse të gjithë vendet e NATO-s marrin pjesë në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik, organizata vetë nuk ka qenë aktive ushtarakisht në këtë pjesë të globit, ndërkohë që ka dërguar sisteme mbrojtëse raketash “Patriot” në Turqi, për ta mbrojtur këtë vend nga ndonjë sulm i mundshëm nga Siria e përfshirë nga lufta.

XS
SM
MD
LG