Lidhje

Shpenzimet ushtarake të vendeve të NATO-s

  • Henry Ridgwell

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë paralajmëruar për rreziqet e një hendeku në rritje të shpenzimeve në fushën e mbrojtjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, në një kohë kur tensionet me Rusinë janë rritur për shkak të konfliktit në Ukrainë. Paralajmërimet vijnë ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po dislokojnë në Evropë tanke dhe luftanije, si pjesë e operacioneve të vazhdueshme të trajnimit nga NATO.

Shtetet e Bashkuara këtë javë po shfaqin dukshëm forcën e tyre ushtarake, duke dislokuar rreth 400 automjete të blinduara në kryeqytetin Riga të Letonisë. Kjo është një shfaqje e solidaritetit përballë agresionit rus.
Gjeneral Majori amerikan John O'Connor mbikqyri dislokimin.

"Ne mund të dislokojmë fuqi luftarake për aleatët tanë në çdo kohë, kudo që është e nevojshme dhe mesazhi ynë për popullin e Letonisë, aleatët amerikanë dhe vendet partnere është se ushtria amerikane, Evropa, munden dhe do të ofrojnë mbështetje të menjëhershme, nëse është nevojshme, nga ajri, deti dhe toka".

NATO ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për një rritje të kërcënimit nga Rusia pas pushtimit të Krimesë një vit më parë dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme ruse në Ukrainën lindore.

Vitin e kaluar, në samitin e NATO-s në Uells, vendet e NATO-s nënshkruan një marrëveshje për të shpenzuar për mbrotjen në minimum 2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto. Por një analizë e 14 vendeve anëtare të NATO-s nga organizata Rrjeti Evropian i Lidershipit, sugjeron se përveç Shteteve të Bashkuara, vetëm Estonia e ka përmbushur këtë objektiv.

"Një numër vendesh në fakt po bëjnë të kundërtën e asaj që u vendos në Uells, pra ato po pakësojnë shpenzimet ushtarake".

Britania, tradicionalisht aleati më i fortë i Amerikës në NATO, është në mesin e vendeve që parashikohet të shpenzojnë më pak se objektivi prej 2 përqindësh. Kjo mund të ndikojë në rolin e Britanisë në operacionet e koalicionit, thotë Ben Barry i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

"Ushtria britanike nuk ka shumë trupa për të dërguar në një operacion shumëkombësh, siç ka bërë në të kaluarën. Përveç kësaj, edhe ushtria amerikane është zvogëluar. Prandaj mund të thuhet se kjo bën atë edhe më e varur ndaj partnerëve shumëkombësh për të ndërtuar një forcë luftuese të efektshme në operacionet e koalicionit".

Kontributi i Shteteve të Bashkuara për shpenzimet e përgjithshme të NATO-s në fushën e mbrojtjes është rritur në mënyrë të qëndrueshme, thotë Lukasz Kulesa.

"Është më shumë se 70 përqind, pra 20 përqind më i lartë se gjatë epokës së Luftës së Ftohtë. Dhe sigurisht kjo nuk është një situatë e mirë, sepse në disa vende krijohet përshtypja se ato në fakt nuk kanë nevojë të bëjnë përpjekje për rritjen e shpenzimeve".

Kjo prirje është ndryshuar në Estoni, një nga vendet që ndodhet në vijën e frontit të tensioneve të Perëndimit me Rusinë. Shpenzimet ushtarake në këtë vend pritet të arrijnë në 2.5 përqind të prodhimit të brendshëm bruto.

"Kjo ka dërguar një mesazh të fuqishëm politik se vendet që janë më të shqetësuara për sigurinë e tyre po shpenzojnë në fushat e duhura".
Komandantët e NATO-s paralajmërojnë se Rusia po investon shumë në modernizimin e forcave të saj të armatosura. Ekspertët ushtarakë për shumë kohë kanë qenë të një mendimi mbi superioritetin teknologjik të ushtrisë amerikane dhe ushtrive perëndimore.

Hendeku mund të jetë ngushtuar, por ai ende ekziston, thotë analisti Ben Barry.

"Mendoj se ka disa fusha në të cilat Shtetet e Bashkuara dhe NATO jetë të mendimit se ushtria ruse është e përgatitur. E tillë është aftësia e tyre bërthamore, aftësia për të prodhuar një mbrojtje ajrore të efektshme. Tanket dhe automjetet e tyre të blinduara ndoshta nuk janë më të mira se tanket dhe automjete blinduara më të mira perëndimore si Leopard 2A7 ose M1 Abrams".

Këto lloje pajisjesh tani po dislokohen në mbarë Evropën. Më në jug në Detin e Zi, luftanijet amerikane po drejtojnë manovrat e NATO-s në territorin e Bullgarisë. Duke marrë parasysh modernizimin ushtarak të Rusisë, diplomatët amerikanë thonë se aleatët e NATO-s në Evropë duhet ta kuptojnë shkallën e kërcënimit.

XS
SM
MD
LG