Lidhje

NATO dhe SHBA: “Kosto të rënda” për Rusinë


Rusia ka refuzuar të tërhiqet përballë sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mbi aneksimin e Krimesë nga ana e Moskës. Veprimet e fundit të Rusisë kanë shkaktuar shqetësime të reja mes fqinjëve të saj me prirje Perëndimore dhe paralajmërime të mëtejshme nga Uashingtoni.

Në Uashington, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen e quajti agresionin e Rusisë një "kambanë alarmi".

"Ky është kërcënimi më serioz për sigurinë dhe stabilitetin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë."

Zoti Rasmussen e cilësoi Rusinë si arrogante dhe tha se veprimet e Moskës e kanë detyruar NATO-n të pezullojë planet për një mision të përbashkët mbështetjeje në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Ndërsa NATO është e hapur për dialog, tha ai, siguria e vendeve anëtare është objektiv kryesor.

"Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk është lëkundur nga ky objektiv dhe nuk do të heqë dorë prej tij."

Ishte një mesazh që më parë edhe Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, kishte dhënë në Lituani, për fqinjët e shqetësuara balltike të Rusisë.

"Për sa kohë që Rusia vazhdon në këtë rrugë të errët, ajo do të përballet me izolim politik dhe ekonomik në rritje."

Në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadorja e SHBA-së Samantha Power dënoi sërish veprimet ruse.

"Rusia është e njohur për madhështinë e saj në letërsi dhe ajo që sapo dëgjuat nga ambasadori rus ia kalon për imagjinatë edhe Tolstoit apo Çehovit."

Ajo e akuzoi Rusinë për "rishkrim" të kufijve të saj.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi gjithashtu se sanksionet ekzistuese dhe sanksione të reja që po përgatiten do të siguronin që Rusia të paguajë një kosto të lartë.

Ndërkohë forcat ukrainase kanë përforcuar mbrojtjen përgjatë kufirit rus, prej shqetësimeve për një pushtim në shkallë më të gjerë. Ky është një rrezik real, thotë eksperti për Kremlinin Ben Judah, autor i një libri mbi Rusinë dhe zotin Putin.

"Nuk ka asnjë arsye për ta besuar plotësisht deklaratën e zotit Putin se ai nuk ka synime të mëtejshme në Ukrainë. Në fjalimin e tij të martën ai e bëri të qartë se ka toka historike ruse që janë lënë jashtë Rusisë, të cilat ai tha se përfshijnë dhe Ukrainën juglindore."

Vendet ish-sovjetike po shprehin shqetësim lidhur me ambiciet e Moskës. Moldavia nënshkroi një marrëveshje me Bashkimin Evropian në nëntor. Por pas çështjes së Krimesë, rajoni autonom i Transdniestres e ka bërë të qartë se dëshiron të jetë gjithashtu pjesë e Rusisë. Mediat lokale thonë se e ardhmja e Transdniestres po debatohet këtë javë në Moskë. Përsëri, analisti Ben Judah:

"Kjo është një shenjë e asaj që njerëzit thonë se është plani i madh i Kremlinit."

Kryeministri i Rumanisë paralajmëron se Moska duhet të frenohet.

"Nëse nuk mund ta zgjidhim këtë çështje, do të kemi probleme që do të përhapen në vende të tjera. Kemi problemin e Transdniestres, kemi problemin e Gjeorgjisë. Pra, BE-ja dhe NATO-ja duhet të mbajnë një qëndrim shumë të fortë."

Bashkimi Evropian do të nënshkruajë një marrëveshje me Ukrainën të premten, e njëjta marrëveshje nga e cila ish-Presidenti ukrainas Viktor Janukoviç hoqi dorë në nëntor, duke sjellë si rezultat protestat anti-qeveritare që e kanë çuar Ukrainën nga revolucioni në prag të luftës me Rusinë.

XS
SM
MD
LG