Lidhje

Nato dhe Ukraina Lindore


Trazirat në Ukrainën lindore vazhduan, edhe pasi Shtetet e Bashkuara dhe Evropa njoftuan sanksione të reja kundër Rusisë për dështimin e saj në marrjen e hapave për të ulur krizën në fqinjin e saj në perëndim. Demonstruesit pro-rus morën nën kontroll një tjetër ndërtesë administrative në Horlivka në Ukrainën lindore ndërsa kanë ndërmarrë veprime të ngjashme edhe në Donetsk dhe Slovyansk. Aleanca e NATO-s po shton mbrojtjen në vendet anëtare në kufi me Rusinë që të qetësojë shqetësimet e tyre në rritje për ambiciet territoriale të Moskës.

Forcat pro-ruse morën nën kontroll një tjetër ndërtesë administrative sot në qytetin Horlivka ndërsa disa mijëra protestues hynë me forcë në një ndërtesë rajonale në Luhansk. Rebelët zëvendësuan flamurin ukraina me atë rus ndërsa policia qëndroi në heshtje.

Në kryeqytetin Kiev, presidenti në detyrë Oleksander Turchynov kritikoi forcat e rendit që dështuan të vepronin:

"Pjesa dërrmuese e forcave të rendit në lindje nuk janë në gjendje të kryejnë detyrën e tyre për të mbrojtur qytetarët tanë. Krerë të rinj të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës janë emëruar tashmë në Donetsk dhe Luhansk. Drejtuesit e forcave speciale "Alpha" janë zëvendësuar të gjithë. "

Ukraina dhe aleatët e saj kanë akuzuar Rusinë për nxitjen e krizës në Ukrainën lindore për të hapur rrugën për një inkursion tjetër në rajon pas aneksimit të gadishullit të Krimesë. Vendet anëtare të Natos në kufi me Rusinë i kanë kërkuar aleancës mbrojtje shtesë.

Zëvendës komandanti suprem i aleancës në Evropë, Adrian Bradshaw vizitoi Letoninë të martën për të diskutuar masat për forcimin e pranisë së Natos në rajonin e Balltikut:

"Vlerësojmë se veprimet që kemi ndërmarrë deri në këtë moment janë të përshtatshme dhe përputhen me ndryshimin e dinamikës së sigurisë me të cilën përballemi. Këto veprime janë një tregues i qartë i angazhimit të Natos në rajon, por këto hapa nuk mund të konsiderohen kërcënuese nga askush në rajon."

NATO ka shtuar tashmë praninë e saj ajrore dhe detare në Balltik. Javën e kaluar, 450 trupa amerikane u dislokuan në Letoni, Lituani dhe Estoni dhe 150 të tjerë në Poloni. Stërvitjet ushtarake të Natos po kryen në mbarë rajonin.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha dje se aleanca po dërgon një mesazh të qartë tek Moska se territori i saj është i pacënueshëm. Ai u bëri thirrje gjithashtu vendeve anëtare të Natos të përmbushin detyrimet e tyre financiare:

"Ne nuk mund të vazhdojmë të lejojmë tkurrjen e buxhetit të mbrojtjes. Në mënyrë të qartë, jo të gjithë aleatët do të përmbushin detyrimin e 2 për qindshit të PBB-së gjatë natës, apo edhe vitin e ardhshëm. Por ka ardhur koha për aleatët që nuk kanë përmbushur detyrimet të bëjnë përpjekje të besueshme për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes gjatë pesë viteve të ardhshme. "

Rusia ka akuzuar Perëndimin se ka nxitur trazirat në rajon. Por disa evropiano-lindorë që ende kanë në kujtesë pushtimet ruse thonë se ndihen më të sigurtë me një shtim të pranisë së Natos. Studenti lituanez Ernestas Tuzinas thotë se kërkon edhe më shumë:

"Këto janë vetëm hapat e para. NATO duhet të vendosë një bazë të përhershme ushatarake në Lituani."


Shtetet balltike kaluan pesë dekada nën pushtimin sovjetik deri në vitin 1991 dhe u anëtarësuan në NATO në vitin 2004. Polonia u anëtarësua në vitin 1999 dhe ishte anëtarja e parë e Natos nga Evropa lindore.
XS
SM
MD
LG