Lidhje

NATO: Gjendja në veri të Kosovës, e qetë, por as e sigurt e as e qëndrueshme


NATO: Gjendja në veri të Kosovës, e qetë, por as e sigurt e as e qëndrueshme
NATO: Gjendja në veri të Kosovës, e qetë, por as e sigurt e as e qëndrueshme

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thonë se gjendja në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës është e qetë, por ajo vazhdon të mos jetë e sigurt e as e qëndrueshme. Në një njoftim të këtyre forcave thuhet se vendkalimet mbeten të mbyllura dhe nën kontrollin e KFOR-it, ndërsa nuk kanë ndryshuar as rregullta për lëvizjen në këto vendkalime të vendosura një ditë më parë, kur ato u shpallën zona të kufizuara ushtarake.

Gjatë pasdites, komandanti i forcave të KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler, ka zhvilluar takime të reja me përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë, Borko Stefanovic që është shef i delegacionit serb për bisedimet më Kosovën dhe ministrin serb për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanovic, por nuk ka pasur ndonjë ndryshim të situatës.

Banorët serbë po mbajnë të bllokuara disa nga rrugët në veri me gjithë thirrjet e KFOR-it për lirimin e tyre. Banorët serbe dhe përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë nuk pajtohen që në vendkalimet kufitare të ketë pjesëtarë të policisë dhe doganave të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ndërkaq tha se nuk do të ketë kthim prapa në synimet për vendosjen e rendit në vendkalimet kufitare në veri. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha sot se ndërhyrja e njësive të posaçme të policisë më 25 korrik shënon një epokë të re për Kosovën. Ai akuzoi Beogradin për sulmet ndaj rendit në Kosovë, ndërsa e cilësoi të paligjshëm qëndrimin e zyrtarëve serbë në veri. Ai tha se qeveria e tij nuk do të bisedojë më me njerëz që po drejtojnë sulmet ndaj vendkalimeve kufitare.

“Dialog për fqinjësi të mirë, do të ketë, duhet të ketë, jemi të gatshëm, por në Bruksel. Dialog me agjendë të paraparë nga BE, të mbështetur nga SHBA, e në asnjë rrethanë dhe në asnjë kohë me zyrtarët që qëndrojnë në mënyrë ilegale në Kosovë”.

Kryeministri Thaçi tha se mandatin e negocimit për çështjet e Kosovës e kanë vetëm institucionet e saj. “Nga 25 korriku Kosova është ndryshe, është hapur kapitulli i ri i sovranitetit të plotë në Republikën e Kosovës. Dhe, askush me këta zyrtarë ilegalë të Serbisë, qofshin diplomatë apo zyrtarë tjerë ndërkombëtarë nuk kanë të drejtë të ulen dhe të diskutojnë në emër të Kosovës”.

Zyrtarë të KFOR-it thanë ndërkaq se nuk janë duke negociuar me përfaqësuesit serbë por po bisedojnë me të dyja palët që nuk kanë vija komunikimi.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën në mbrëmje një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.
Një pjesëtar i policisë u vra në një sulm të armatosur ndaj njësive të posaçme në afërsi të Zubin Potokut, një nga komunat veriore me shumicë serbe.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta. Shefja e diplomacisë evropiane, Katherin Ashton, do të dërgojë në fillim të javës së ardhshme diplomatin britanik Robert Cooper në Beograd dhe Prishtinë. Ky vendim i saj u bë i ditur pas mbledhjes së Komisionit të Bashkimit Evropian për politikë dhe siguri, ku është debatuar gjendja aktuale në Kosovë. Zonja Ashton ka theksuar se dialogut mbetet e vetmja mënyrë që Beogradi dhe Prishtina t'i zgjidhin çështjet e hapura. Bashkimi Evropian pret të ndodhë një përparim i shpejtë dhe i domosdoshëm", citohet të ketë thënë ajo duke kërkuar nga të dyja palët që "të shmangin përkeqësimin e mëtejmë të situatës dhe të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore nëpërmjet negociatave.

XS
SM
MD
LG