Lidhje

NATO: Karzai duhet të nënshkruajë Marrëveshjen e Sigurisë


Ministrat e Jashtëm të NATO-s gjatë takimit në Bruksel i bënë thirrje Presidentit afgan Hamid Karzai të nënshkruajë marrëveshjen e sigurisë me Shtetet e Bashkuara, e cila do të lejonte vazhdimin e pranisë së trupave ndërkombëtare në Afganistan edhe pas përfundimit të misionit luftarak të NATO-s atje vitin e ardhshëm. Presidenti Karzai dëshiron të shtyjë nënshkrimin e marrëveshjes deri pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm në Afganistan.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen thotë se aleanca shpreson të vazhdojë praninë në Afganistan deri në vitin 2015, por nevojitet nënshkrimi në "kohë" i marrëveshjes së sigurisë nga ana e presidentit Karzai, e cila përcakton kushtet e pranisë së një force ushtarake më të vogël me një rol këshillues.

Sekretari Rasmusen u tha gazetarëve në selinë e NATO-s se ai është i shqetësuar se mungesa e një misioni të tillë trajnimi mund të ketë ndikim negativ mbi sigurinë dhe ndihmat financiare për Afganistanin. Ai tha se aleanca trans -atlantike nuk po përpiqet të imponojë idetë e veta mbi qeverinë e Kabulit, por vetëm do të ofrojë ndihmën e saj në qoftë se ajo kërkohet.

"NATO nuk është një forcë pushtuese. Ne synojmë të ndihmojmë Afganistanin. Dhe sigurisht që është parakusht që ne të marrim një ftesë për praninë tonë atje, e cila duhet të shoqërohet me një kuadër të duhur ligjor."

Presidenti Karzai ka bllokuar kuadrin ligjor që përcakton praninë e trupave amerikane pas vitit 2014, duke thënë se një marrëveshje e tillë nuk duhet të nënshkruhet deri pas zgjedhjeve në vendin e tij që do të zhvillohen në prill të vitit të ardhshëm. Zoti Karzai ka shtuar kushte të reja për marrëveshjen që ai e ka negociuar me Sekretarin Kerry, përfshirë kërkesën për lirimin e të gjithë të burgosurve afganë nga burgu amerikan në gjirin e Guantanamos në Kubë.

Sekretari Kerry thotë se, duke pasur parasysh "sakrificat e mëdha" të trupave amerikane në Afganistan, Presidenti Barack Obama nuk e vlerëson këtë veprim i cili në njëfarë mënyre "është duke vënë në dyshim përpjekjen amerikane në këtë moment kritik."

"Kjo nuk është një shaka. Kjo është një çështje serioze. Mbi 50 vende janë të angazhuara nëpërmjet NATO-s në përpjekjet për të ndihmuar Afganistanin. Dhe ato vende kanë afate buxhetore. Këto vende kanë kushte për planifikimin e operacioneve."


Zyrtarët amerikanë dhe të NATO-s thonë se ata kanë nevojë për një vendim deri në fund të vitit për të planifikuar tërheqjen e plotë të gjithë forcës ndërkombëtare prej 84 mijë ushtarësh gjatë 12 muajve të ardhshëm, ose themelimin e një force më të vogël trajnimi mes 8 mijë dhe 12 mijë ushtarësh.

"Të gjithë kolegët tanë këtu sot shprehën një dëshirë për qëllimet e tyre të planifikimit dhe besimit që vjenë nga njohuria se ne jemi duke lëvizur në të njëjtin drejtim, të gjithë shprehën shpresën se kjo mund të bëhet më shpejt, e jo më vonë."

Ministrat e Jashtëm të NATO-s dhe zyrtarë nga vendet partnere sot do të takohen me Ministrin e Jashtën afgan, Zarar Ahmad Moqbel dhe me Ministrin e Brendshëm afgan Mohammad Omar Daudzai për të diskutuar mbi marrëveshjen e sigurisë.

Pas këtij takimi, Sekretari Kerry do të vizitojë Moldavinë dhe Izraelin.
XS
SM
MD
LG