Lidhje

Kerry në Bruksel për bisedime mbi Afganistanin


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ndodhet në Bruksel për një takim të Ministrave të Jashtëm të NATO-s që pritet të përqëndrohet në zvarritjen e nënshkrimit të një marrëveshje që parashikon vazhdimin e pranisë së trupave ndërkombëtare në Afganistan pas vitit 2014. Presidenti afgan Hamid Karzai dëshiron shtyerjen e nënshkrimit të marrëveshjes deri pas zgjedhjeve të muajit prill në vendin e tij.

Takimi i Ministrave të Jashtëm të NATO-s pason një mbledhje të udhëheqësve të fiseve afgane që miratoi Marrëveshjen Dypalëshe të Sigurisë. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki thotë se nënshkrimi i marrëveshjes do të ndihmonte mbrojtjen e së ardhmes së këtij vendi.

"Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë. Edhe populli afgan e ka bërë të qartë qëndrimin i tij. Nënshkrimi i shpejtë i marrëveshjes së sigurisë është një hap i rëndësishëm përpara, siç e kemi thënë shumë herë, për ruajtjen e partneritetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit, për mbështetjen e afganëve në arritjen e paqes së qëndrueshme, sigurisë, dhe zhvillimit."

Presidenti Karzai e ka negociuar gjuhën përfundimtare të kësaj marrëveshje me Sekretarin Kerry. Por, pasi ajo mori miratimin e mijëra udhëheqësve të fiseve afgane, zoti Karzai kërkoi shtyerjen e nënshkrimit të marrëveshjes, duke shtuar kushte të reja që përfshijnë lirimin e të gjithë të burgosurve afganë nga burgu amerikan në gjirin e Guantanamos, në Kubë.

Analistët thonë shtyerja e nënshkrimit të marrëveshjes mund të rrezikojë miliarda dollarë ndihma për zhvillim dhe investime. Zëdhënësja Psaki thotë se marrëveshja është vendimtare për planifikimin ushtarak për trupat që mund të mbeten në Afganistan pas fundit të vitit 2014, kur përfundon misioni luftarak i NATO-s atje.

"Shtyerja e nënshkrimit të marrëveshjes deri pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm nuk është praktike. Një veprim i tillë nuk do t’u jepte afganëve sigurinë që ata meritojnë lidhur me të ardhmen e tyre në muajt kritikë para zgjedhjeve. Ky veprim nuk do t’u jepte Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s qartësi të nevojshme për një prani të mundshme ushtarake pas vitit 2014."

Pas takimit të NATO-s në Bruksel, Sekretari Kerry udhëton në Moldavi për bisedime mbi anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian dhe në Izrael për bisedime me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë.
XS
SM
MD
LG