Lidhje

Kerry: NATO të shqyrtojë rolin e saj në Siri


Kryediplomati amerikan i bëri komentet gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të aleancës sot në Bruksel

Sekretari i Shtetit John Kerry tha se NATO-ja duhet të shqyrtojë rolin e saj në konfliktin sirian, duke përfshirë se si do të kundërpërgjigjet ndaj një përdorimi të mundshëm të armëve kimike.

Kryediplomati amerikan i bëri komentet gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të Aleancës sot në Bruksel.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen tha se aleanca është shumë e shqetësuar lidhur me përdorimin e raketave balistike në Siri dhe një përdorim të mundshëm të armëve kimike.

Ai tha se aleanca nuk do të ndërhyjë në konfliktin në Siri pavarësisht nga kërcënimi që paraqet dhuna për sigurinë në kufirin juglindor të NATO-s.

Zoti Rasmusen tha, megjithatë, se NATO-ja nuk mund të injorojë rrezikun e një përhapjeje të konfliktit në rajon me ndikime të mundshme për sigurinë e aleatëve.

Në fillim të këtij viti, aleanca vendosi bateri anti-raketore Patriot përgjatë kufirit të Turqisë me Sirinë, pas goditjes së disa fshatrave nga zjarri i artilerisë.

Menjëherë pas fillimit të takimit, NATO-ja dënoi programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe retorikën e saj kërcënuese. Aleanca tha se veprimet e Phenianit shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe minojnë qëndrueshmërinë rajonale.

Bisedimet e sotme do të përqëndrohen gjithashtu në tërheqjen e forcave aleate nga Afganistani në vitin 2014.
XS
SM
MD
LG