Lidhje

Stoltenberg: NATO-ja e përkushtuar ndaj sigurisë së Kosovës


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po qëndron për një vizitë në Kosovë, për t'u takuar me udhëheqësit më të lartë të saj dhe me ata të pranisë ndërkombëtare.

Stoltenberg: Nato e përkushtuar për sigurinë e Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:53 0:00

​Vizita e sekretarit Stoltenberg në Kosovë përkon me një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të zhvillimeve të fundit. Ndërtimi i një muri në veriun e Mitrovicës, ndalimi i ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në bazë të një urdhër arresti serb dhe 14 janari kur Kosova ndaloi hyrjen e një treni të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, me mbishkrimin "Kosova është Serbi", ngritën tensionet dhe nxitën luftë fjalësh të ashpra ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe shqetësimet e diplomatëve për rritjen e tensioneve ndërmjet të dyja vendeve.

Në dy takime me radhë që u mbajtën në nivelin më të lartë në Bruksel, palët ishin zotuar të përmbahen nga deklarimet nxitëse dhe të punojnë për uljen e tensioneve. Bashkimi Evropian në dy raste u rikujtoi atyre zotimin, duke u kërkuar që të punojnë në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Edhe sekretari Stoltenberg bëri thirrje të premten që të dyja palët të dëshmojnë vetëpërmbajtje dhe të përfshihen në rrugë konstruktive ne bisedime.

"Nuk kemi nevojë për retorikë, por për bisedime. Duhet të ulen tensionet dhe të ecet përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve", tha ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Ai tha se NATO-ja është në Kosovë për të siguruar paqen, qëndrueshmërinë dhe sigurinë në këtë pjesë të Evropës. "Ne do të qëndrojmë këtu dhe kjo dërgon mesazhin e qartë të përkushtimit që Kosova të jetë vend i sigurt", tha sekretari Stoltenberg, duke ritheksuar se KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa është e domosdoshme.

Rreth pesë mijë trupa të NATO-s vazhdojnë të kujdesen për sigurinë në Kosovë.

Vizita e tij që pasoi qëndrimin e djeshëm në Bosnjë, po ndiqet me vëmendje për shkak të zhvillimeve politike botërore dhe rritjes së ndikimit të Rusisë në Ballkan.

Sekretari Stoltenberg tha të enjten në Sarajevë se "NATO-ja po ndihmon qeveritë e Ballkanit Perëndimor, organet e tyre të zbulimit dhe të mbrojtjes për t'i rezistuar ndikimit të huaj politik, sidomos atij rus".

Ai tha se aleanca ishte në dijeni të njoftimeve për një rritje të ndikimit rus në Ballkan dhe të ndërhyrjes së Rusisë në proceset politike në Mal të Zi:

"Ne po ndjekim nga afër këtë çështje, po punojmë me partnerët tanë, përfshirë Malin e Zi, për t’i ndihmuar ata që të forcojnë kapacitetet e tyre të kundërzbulimit dhe institucionet e tyre të mbrojtjes."

Mali i Zi pritet t’i bashkohet NATO-s këtë vit, një veprim që Rusia e kundërshton me forcë. Vitin e kaluar, autoritetet e këtij vendit akuzuan një grup të serbëve dhe nacionalistëve rusë për planifikim të një grusht shteti gjatë zgjedhjeve të 16 tetorit për të sjellë në pushtet koalicionin opozitar. Qeveria ruse mohoi përfshirjen në një komplot të tillë.

"Mënyra më e mirë për të rritur gatishmërinë ndaj çdo lloj ndikimi të jashtëm apo ndikimi të mundshëm është që të sigurohemi që institucionet në vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të forta, të modernizuara dhe të reformuara", tha zoti Stoltenberg.

Ai gjithashtu inkurajoi udhëheqësit e grupeve rivale etnike të Bosnjës që të arrijnë një kompromis mbi të ardhmen e vendit dhe rrugën e tij drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG