Lidhje

Takim i ministrave të NATO-s në Bruksel


Vazhduan shqetësimet rreth lajmeve se qeveria siriane po dislokon armë kimike

Ministrat e NATO-s u mblodhën sot në Bruksel për një ditë të dytë bisedimesh, pas marrëveshjes për të vendosur sisteme raketash Patriot në kufirin e Turqisë me Sirinë. Zyrtarët thanë ndërkohë se NATO-ja nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me Rusinë lidhur me Sirinë.

Edhe sot vazhduan shqetësimet rreth lajmeve se qeveria siriane po dislokon armë kimike, megjithëse ajo ka mohuar se ka plane për t’i përdorur ato kundër popullit të vet.

Ministri i jashtëm holandez, Frans Timmermans pranoi se vendet anëtare të NATO-s nuk kishin arritur ndonjë marrëveshje me Rusinë për një strategji rreth Sirisë.

Frans Timmermans, ministër i jashtëm i Holandës:

"Një gjë është e qartë: si NATO-ja edhe Rusia janë shumë të shqetësuara rreth armëve kimike në Siri, por për këtë çështje nuk është arritur ndonjë mirëkuptim,” tha ministri.

Moska e ka kritikuar dislokimin e planifikuar të raketave Patriot, duke thënë se kjo do të rriste më tej tensionet në rajon.

Dje, Ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se Rusia nuk ishte kundër raketave Patriot, por theksoi se goditjet me artileri të Sirisë kundër Turqisë ishin aksidentale.

Prej më shumë se një viti, Kremlini i ka frenuar përpjekjet ndërkombëtare për të ushtruar trysni glabale ndaj regjimit të Asadit, aleati i tij më i fortë në botën arabe, por zyrtarët thonë se Moska ka shprehur po ashtu shqetësim rreth kërcënimeve për përdorimin e armëve kimike.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle tha se në rendin e sotëm të ditës ishte Afganistani, ku tërheqja e plotë e trupave të NATO-s është planifikuar për në vitin 2014.

Guido Westerwelle, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë:

"Ka rëndësi që ne t’i japim Afganistanit një vizion për të ardhmen, pas vitit 2014. Ne nuk duam që Afganistani të zhytet përsëri në kaos dhe në një vakum politik nga i cili të përfitojnë terroristët,” tha zoti Westerwelle.

XS
SM
MD
LG