Lidhje

NATO miraton planin për mbrojtjen nga raketat në Evropë

  • Kent Klain

NATO miraton planin për mbrojtjen nga raketat në Evropë

NATO miraton planin për mbrojtjen nga raketat në Evropë

Udhëheqësit e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior miratuan propozimin e ri të Presidentit amerikan, Barak Obama, për një sistem të ri më të zgjeruar të mbrojtjes nga raketat në Evropë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon nga Lisbona, se miratimi i propozimit është një fitore për presidentin, pas një sërë dështimesh në politikën e tij të jashtme.

Presidenti Obama thotë se miratimi nga Këshilli i Atlantikut Verior i këtij propozimi do t’i bëjë Evropën dhe botën më të sigurta.

"Për herë të parë ne kemi rënë dakord të zhvillojmë në sistem mbrojtës nga raketat që është mjaft i fuqishëm për të mbrojtur të gjithë popullatën e vendeve evropiane të NATO-s si dhe të Shteteve të Bashkuara”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Andres Fogh Rasmusen, thotë se sistemi pritet të kushtojë 273 milionë dollarë gjatë një periudhe dhjetë vjeçare. Ai do t’i kërkojë Rusisë, e cila e kundërshtoi fillimisht idenë e mbrojtjes evropiane nga raketat, të bashkëpunojnë në këtë projekt.

Marrëveshja e NATO-s është një nga arritjet më të rëndësishme të politikës së jashtme të Presidentit Obama që kur ai erdhi në post dy vjet më parë. Gjatë udhëtimit të tij në Azi ditët e fundit, zoti Obama nuk arriti marrëveshje për tregtinë e lirë me Korenë e Jugut dhe as fitoi mjaft mbështetje nga vende të tjera ta bindëte Kinën të ndryshonte praktikën e saj monetare.

Udhëheqësit e 28 vendeve të NATO-s, të mbledhur në kryeqytetin e Portugalisë, ranë dakord dje për një konceptim të ri strategjik të aleancës. Deklarata për misionin e ri të NATO-s ka si synim trajtimin e kërcënimeve dhe sfidave të reja.

Për këtë arsye, zoti Rasmusen e cilësoi këtë një nga takimet më të rëndësishëm të nivelit të lartë në historinë 61 vjeçare të NATO-s.

“Ne do të zhvillojmë kapacitete moderne për t’u mbrojtur nga kërcënimet moderne. Ne do të kërkojmë bashkëpunimin e partnerëve tanë në gjithë botën. Ne do të kemi një fillim të ri në marrëdhëniet me Rusinë, duke synuar të ndërtojmë një partneritet strategjik”.

Presidenti Obama tha se në ditën e parë të takimit të nivelit të lartë të NATO-s dje u bë përparim i ndjeshëm dhe ai pret që të arrihet edhe më shumë në takimet e sotme lidhur me të ardhmen e luftës në Afganistan.

"Aleatët tonë të NATO-s, partnerët tonë në Forcën Ndërkombëtare të Asistencës për Sigurinë dhe qeveria afgane do të bashkëpunojnë për të bashkërenduar veprimet në Afganistan, veçanërisht në dy aspekte, në kalimin e udhëheqjes tërësisht në duart e afganëve në periudhën 2011-2014 dhe në partneritetin afatgjatë që ne po ndërtojnë në Afganistan”.

NATO-ja ka në plan t’u japë fund operacioneve të luftimit në Afganistan aty nga fundi i vitit 2014 dhe të vazhdojë misionet e saj stërvitore dhe humanitare edhe më tej. Presidenti afgan Hamid Karzai do të jetë mes pjesëmarrësve në sesionin për Afganistanin.

Marrëdhëniet me Rusinë do të jenë një tjetër temë e takimeve të sotme të NATO-s. Zoti Obama u bëri përsëri thirrje dje republikanëve në Senatin e Shteteve të Bashkuara të heqin dorë nga kundërshtimi dhe të miratojnë traktatin e ri START për pakësimin e armëve bërthamore që ai dhe Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, nënshkruan në muajin prill.

"Aq sa kjo është një përparësi për sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, mesazhi që mora nga udhëheqësit e tjerë me të arritur në këtë takim të NATO-s nuk ka si të jetë më i qartë se kaq, traktari i ri START do të forcojë aleancën tonë dhe do të forcojë sigurimin në Evropë”.

Aleanca e NATO-s që është themeluar për të përballuar kërcënimet që mund të vinin nga Bashkimi Sovjetik dhe nga Traktati i Varshavës, po përpieqet të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë. Presidenti Medvedev do të marrë pjesë në takimin NATO-Rusi dhe do të takohet vetëm për vetëm me zotin Obama.

XS
SM
MD
LG