Lidhje

NATO, Mali i Zi nënshkruajnë protokollin e anëtarësimit


NATO-ja dhe Mali i Zi nënshkruan në Bruksel të enjten një protokoll anëtarësimi.

Marrëveshja, në pritje të ratifikimit, hap rrugën drejt anëtarësimit të plotë të Malit të Zi në NATO.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg tha se nënshkrimi i marrëveshjes shënon "fillimin e një kapitulli të ri të sigurisë" në historinë e Malit të Zi.

Ai u bëri thirrje udhëheqësve të vendit të vazhdojnë programin e tyre të reformave dhe premtoi ndihmën e NATO-s.

Kryeministri malazez Millo Gjukanoviç, tha se Mali i Zi shpreson të bëhet anëtar i plotë deri në mesin e vitit të ardhshëm, duke u bërë vendi i tretë ballkanik, që i bashkohet NATO-s, pas Shqipërisë dhe Kroacisë.

Ndërsa sekretari amerikan i shtetit John Kerry, tha se Shtetet e Bashkuara "mbeten tërësisht të përkushtuara ndaj politikës së dyerve të hapura në NATO dhe jemi të kënaqur që Mali i Zi po ecën në rrugën e tij drejt bashkimit me aleancën. Pranimi i Malit të Zi nënvizon sërish vendosmërinë tonë për vendime për anëtarësim pa ndikime nga jashtë dhe për të theksuar vendosmërinë tonë për të qëndruar së bashku kundrejt çdo kërcënimi me të cilin përballemi".

Moska kundërshton çdo zgjerim të NATO-s në ish-zonat komuniste të Evropës Lindore dhe Juglindore, pjesë e luftës lindje-perëndim për shtrirjen e ndikimit mbi ish-satelitët sovjetikë, gjë që është në qendër të krizës në Ukrainë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, tha se vendimi për t'i bërë ftesë Malit të Zi, nuk është i drejtuar kundër Rusisë dhe se NATO-ja është aleancë mbrojtëse që synon ofrimin e sigurisë.

XS
SM
MD
LG