Lidhje

Nato përkujton përvjetorin e zgjerimit


Sot në Bruksel Nato përkujtoi tre valët e procesit të zgjerimit të saj që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Sekretari i Përgjithshëm i Natos Anders Fogh Rasmussen theksoi se duke përkujtuar zgjerimin, Nato rikonfirmon politikën e saj të dyerve të hapura edhe ndaj anëtarëve të rinj në të ardhmen.
Në një deklaratë me kete rast, sekretari Rasmussen theksoi se “duke zgjedhur të bëhen anëtarë të Natos, aleatët tanë kanë dëshmuar angazhimin e tyre ndaj lirisë, vlerave dhe parimeve që janë në themele të komunitetit euroatlantik. Anëtarësimi i tyre dhe kontributet e tyre e kanë bërë Naton më të fortë dhe më të vendosur”, deklaroi gjatë ceremonisë sekretari i Përgjithshëm Rasmussen. “Politika e dyerve të hapura është një ndër sukseset e mëdha të Natos”, theksoi ai duke shtuar se “sot, ne qëndrojmë së bashku, fortësisht të bashkuar dhe solidarë, në mbrojtje të sigurisë sonë të pandashme dhe vlerave të përbashkëta, sic parashikon Traktati i Uashingtonit".
Përvjetorët e Zgjerimit të Natos u përshëndetën edhe nga sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, sipas të cilit, politika e dyerve të hapura “ka zgjeruar demokracinë, begatinë dhe stabilitetin në Europë dhe ka hapur mundësi të reja për të ofruar siguri dhe begati anembanë globit”.
Vala e parë e zgjerimit të Natos ishte 15 vjet më parë me Republikën Ceke, Hungarinë dhe Poloninë. 5 vjet më pas ajo vazhdoi me 10 shtete të tjera europiane, ish komuniste, ndërsa në 2009 u pranua dhe Shqipëria e Kroacia.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG