Lidhje

NATO, stërvitje ushtarake në Poloni


Më shumë se 2000 trupa nga nëntë vende të NATO-s ndodhen në Poloni, ku po marrin pjesë në stërvitjen e parë të forcës së re të reagimit të shpejtë të formuar kohët e fundit nga NATO-ja në përgjigje të veprimeve ruse në rajon. Zyrtarët e NATO-s thonë se stërvitja ka për qëllim të sigurojë vendet anëtare në Evropën Lindore dhe t’i dërgojë Rusisë një sinjal të gatishmërisë për mbrojte:

"Ne kemi nevojë për forca të gatshme, të përgatitura dhe për një proces të shpejtë vendimmarrjeje për t'iu përgjigjur kërcënimeve dhe sfidave brenda një kohe të shkurtër".

Shefi i NATO-s iu bashkua gazetarëve dje në Poloninë perëndimore, ku ata panë një stërvitje me municion real nga forcat specale polake, çeke dhe lituaneze.

Avionë luftarakë amerikanë dhe polakë si dhe automjete të blinduara gjermane gjithashtu morën pjesë në stërvitje.

Udhëheqësit e Aleancës thonë se stërvitjet kanë për qëllim të sigurojnë vendet anëtare të NATO-s nga Evropa Lindore të cilat janë të shqetësuara nga veprimet e Rusisë në Ukrainë:

"Rusia nuk duhet të gjykohet nga fjalët e saj, por nga veprimet e saj dhe veprimet e saj gjatë vitit të kaluar nuk na kanë dhënë optimizëm. Aneksimin e Krimesë dhe aktivitetet e Rusisë në Ukrainën lindore kanë shkaktuar shqetësime në vendet e Evropës Lindore. Ne jemi shumë të kënaqur që gjatë vitit të kaluar kemi parë se NATO punon dhe është e gatshme të mbrojë anëtarët e saj''.

Stërvitja gjithashtu ka për qëllim të bindë udhëheqësit politikë të vendeve anëtare të NATO-s që të lehtësojnë vendimin për dislokimin e trupave duke u dhënë më shumë autoritet komandantëve ushtarakë për dislokimin e forcave të reagimit të shpejtë.

NATO thotë se po kryen përforcimin më të madh të forcave të saj mbrojtëse në më shumë se një dekadë pasi Moska njoftoi planet për të rritur arsenalin e saj bërthamor gjatë këtij viti.

Përveç kësaj, në takimin e ministrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Bruksel javën e ardhshme pritet të diskutohet rivendosja e pajisjeve të rënda ushtarake në vendet lindore të aleancës pranë Rusisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG