Lidhje

Marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-, Jens Stoltenberg, tha se një takim i ri historik i Aleancës do të rrisë praninë mbrojtëse dhe parandaluese të saj në Europën Lindore dhe në vendet balltike. Zoti Stoltenberg ndodhet për një vizitë në Poloni, në prag të takimit të NATO-s në Varshavë. Ndërkohë, në takimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë, ju bë thirrje vendeve anëtare të Aleancës që të forcojnë mbështetjen për vendet jugore dhe lindore, të cilat besojnë se siguria e tyre është e kërcënuar. I dërguari rus në selinë e NATO-s në Bruksel, e akuzoi Aleancën se i është rikthyer metodave të Luftës së Ftohtë.

Rusia ka kryer kohët e fundit stërvitje ushtarake në disa rajone, përfshirë ato në kufi me Poloninë dhe me vendet balltike. Zyrtarët rusë thonë se forcat ushtarake janë duke u stërvitur për të patur një gatishmëri të lartë, si përgjigje ndaj planeve të NATO-s për dislokimin e forcave të saj më pranë kufijve të Rusisë. Moska po ashtu tha se do të dislokojë raketa me rreze të gjatë dhe me kapacitet bërthamor në Krime, gadishulli i Detit të Zi, që ajo e aneksoi nga Ukraina një vit më parë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se Aleanca do të vendosë një forcë në krahun e saj lindor, pikërisht në Poloni dhe në vendet balltike.

"Gjithshka që ne bëjmë ka synime mbrojtëse, është proporcionale dhe tërësisht në përputhje me angazhimin tonë ndërkombëtar.”- tha zoti Stoltenberg.

Moska e ka hedhur poshtë këtë argument dhe ka kërcënuar se do t’i përgjigjet çdo dislokimi të NATO-s në vendet e ish-bllokut sovjetik. Gjatë një vizite në Greqi javën e kaluar, Presidenti Vladimir Putin e kritikoi NATO-n për fillimin e zbatimit të programit të mbrojtjes nga raketat në Rumani.

“Sa mund të përbëjë kjo kërcënim për ne? Natyrisht që po. Prandaj tani ne do të fuqizohemi si kundërpërgjigje… Sot ne duhet të marrin masa për sigurinë tonë.”- tha zoti Putin.

Presidenti i Polonisë Andrzej Duda la të kuptohet se reagimi i Rusisë ndaj programit të mbrojtjes me raketa është ekzagjeruar qëllimisht.

"Presidenti Putin e kupton që unë e shoh deklaratën e tij si një ritual të zakonshëm për situatën e tanishme. Është diçka që përsëritet prej vitesh, prandaj nuk është për t’u çuditur,”- tha ai.

Në takimin e NATO-s që u mbajt dje në Tiranë, kreu i Asamblesë Parlamentare të Aleancës, Mike Turner, tha se Rusia duhet parandaluar.

"NATO, Bashkimi Europian, madje edhe Rusia, dikur bashkëpunonin për kapërcimin e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve në ish Jugosllavi.

Që nga ajo kohë, Moska mendon që interesat e saj mbrohen më mirë kur ajo punon kundër nesh, se sa kur është krah nesh. Pra, me qëllim që të ketë ndikim në botë, Rusia ka vendosur se duhet të minojë dhe përçajë të tjerët, madje edhe të përdorë forcën kundër fqinjëve,”- tha zoti Turner.

Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në NATO, Alexander Grushko, e ka akuzuar Aleancën për rikthimin e skemave të periudhës së Luftës së Ftohtë. Në një intervistë në “Rossiyskaya Gazeta”, ai pranoi se “prirja drejt keqësimit të marrëdhënieve ende nuk është ezauruar.”

XS
SM
MD
LG