Lidhje

Afganistan: 8 gra e vajza, viktima të një sulmi të NATO-s


Zyrtarët afganë thonë se forcat e koalicionit të NATO-s vranë sot 8 gra dhe vajza në një sulm ajror në një zonë të thellë të vendit. Sulmi i sotëm vjen tre ditë pas sulmeve të forcave afgane ndaj ushtarëve ndërkombëtarë, në të cilin u vranë 8 pjesëtarë të trupave, mes tyre 4 amerikanë.

Sulmet e sotme ajrore ndodhën pak pas agimit, në distriktin Langhman të provincës Alingar, në lindje të Kabulit. Fshatarët i çuan trupat me makinë në kryeqytetin provincial, duke thënë se viktimat ishin vrarë nga një avion i NATO-s, ndërsa kishin shkuar të mblidhnin dru për zjarr para agimit.

Një zëdhënës i qeverisë lokale tha se fshatarët e kishin dënuar sulmin, duke thirrur “Vdekje Amerikës”. Forca Ndërkombëtare e Ndihmës e Sigurisë nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara fillimisht tha se sulmi ajror kishte patur si objektiv 45 kryengritës, por më vonë shprehën ngushëllimet e tyre lidhur me sulmin që gabimisht kishte goditur 5 deri në 8 civilë.

Ndërkohë, Forca Ndërkombëtare Sigurisë tha se 4 ushtarë amerikanë u vranë sot në një sulm të forcave afgane në jug të vendit. Autoritetet lokale të provincës Zabul thanë se 4 amerikanë ishin vrarë nga një polic afgan. Zyrtarët e koalicionit nuk i kanë bërë të njohur emrat e viktimave.

XS
SM
MD
LG